Tërmet në Itali, banorët dalin në rrugë të frikësuar, pezullohet qarkullimi hekurudhor në zonën e prekur

Botë | 9 muaj më parë

Një tërmet me magnitudë mes 4 dhe 4.5 është regjistruar rreth orës 9:30 në provincën Forlì-Cesena në Itali. Pas disa minutash, një tjetër lëkundje me magnitudë mes 3.7 dhe 4.2 ka goditur zonën e Ravenës teksa banorët kanë dalë të frikësuar në rrugë. Vlerësimet provizore u bënë nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV).

Në disa zona të qytetit të Forlìt, banorët kanë dalë në rrugë të frikësuar pas lëkundjeve. Tërmeti është ndjerë në të gjithë rajonin e Romagnës. Për momentin raportohet frikë e madhe mes popullatës, por nuk ka njoftime për dëme.

Lidhur me situatën kanë reaguar edhe kryetarët e bashkive, nga Russi deri në Faenza, të cilët kanë dalë me deklarata për të qetësuar qytetarët: “Janë kryer evakuime parandaluese, por nuk janë konstatuar dëme.”

Ndërkohë, qarkullimi hekurudhor është pezulluar përkohësisht për shkak të kontrolleve teknike në linja. Verifikimet po kryhen në linjat Bologna–Rimini, Ferrara–Rimini, si dhe në segmentet Castelbolognese–Ravenna dhe Faenza–Ravenna. Trenat që ndodheshin në zonën e prekur janë ndalur dhe do të rifillojnë udhëtimin pas përfundimit të kontrolleve.

Aktivizohen procedurat e emergjencës pas tërmetit në Romagna

Pas dy lëkundjeve sizmike është aktivizuar menjëherë procedura për ngjarje sizmike në territor. Në Bologna është vënë në funksion Qendra Operative Rajonale, pranë Agjencisë për Sigurinë Territoriale dhe Mbrojtjen Civile, e koordinuar nga drejtori Massimo Camprini. Operatorët e trajnuar janë tashmë në terren për kontrollet e para, të cilat po kryhen edhe nga zjarrfikësit.

Edhe bashkitë kanë aktivizuar procedurat e parashikuara, duke nxjerrë fillimisht nxënësit nga shkollat si masë parandaluese. Janë hapur gjithashtu Qendrat Operative Komunale në zonat e prekura.

“Ka pasur shumë frikë – shpjegon presidenti i Rajonit, de Pascale – por për momentin nuk rezultojnë dëme në njerëz apo ndërtesa. Verifikimet mbi sinjalizimet e mbërritura janë në zhvillim e sipër.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme