“Territorialja”/ PD: Të dëgjohen bashkitë që shkrihen, s’ka reformë të njëanshme. Manja: Më 5 tetor shqyrtimi i pr.ligjit

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike zhvilloi këtë të premte, më 2 tetor, mbledhjen ku u prezantuan gjetjet e konsultimit publik për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Mbledhja u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës, me deputetët demokratë që kundërshtuan mënyrën e zhvillimit të konsultimit publik dhe kërkuan që në proces të dëgjohen edhe përfaqësuesit e bashkive që preken drejtpërdrejt nga ndryshimet e propozuara. Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se gjetjet e opozitës nga konsultimet me qytetarët dhe aktorët vendorë ndryshojnë nga ato të paraqitura në kuadër të nismës së mazhorancës. Ajo theksoi se gjatë procesit kanë dalë edhe zhvillime të tjera që lidhen me vendimet e këshillave bashkiakë dhe kërkesat e kryetarëve të bashkive.
“Gjatë konsultimit të reformës në komision, ne kemi gjetje të tjera. Të gjitha konsultimet që kemi bërë me kolegët, qytetarët e kanë kundërshtuar reformën. Në asnjë variant nuk është varianti i propozuar nga PD me 100 bashki, por varianti i PS me 46. S’mund të ketë reformë territoriale të njëanshme”, u shpreh Tabaku.
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sqaroi se mbledhja kishte në rend dite prezantimin e gjetjeve të konsultimit publik të zhvilluar në funksion të projektligjit të depozituar nga 10 deputetë të Partisë Socialiste.
“Rendi i ditës që kemi përpara është prezantimi i gjetjeve të konsultimit publik në funksion të nismës së depozituar nga kolegët e PS. Ky konsultim publik është në funksion të këtij projektligji, sikurse dhe nisma juaj është përcjellë nga Kuvendi për t’u konsultuar me bashkitë e Shqipërisë. Sot kam ftuar z. Mazniku, në emër të nismëtarëve, të na bëjë prezantimin e gjetjeve që kanë ardhur, t’i administrojmë ato dokumente dhe t’i shpërndajmë ato dokumente që në mbledhjen e 5 tetorit, që është diskutimi në parim, miratimi në parim, nen për nen dhe në tërësi i projektligjit. Më datë 8 votohet. I hidhet vota”, deklaroi Manja.
Debati u përqendrua më tej te qëndrimet e këshillave bashkiakë dhe komuniteteve të prekura nga reforma. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kritikoi faktin që, sipas tij, në mbledhje nuk ishin ftuar përfaqësuesit e bashkive që parashikohet të shkrihen. Ai kërkoi ndërprerjen e procesit dhe thirrjen e kryetarëve të bashkive në Komision.
“Unë aty shoh bashki që nuk preken nga ndryshimet, rrinë siç janë, ndërkohë që këtu duhet të kishit ftuar përfaqësuesit e të gjitha bashkive që shkrihen. Duhet të ishin këtu dhe, nëse ky është prezantim gjetjesh, duke ditur që ato këshilla bashkiakë kanë marrë votime dhe kanë votuar kundër, duhet të ishin këtu. Ndërprite procesin, thirri kryetarët e bashkive të jenë këtu. Nëse ju mendoni se rritet volumi i konsultimit duke marrë vendime pozitive nga bashki që s’u preket fija e flokut dhe këta na qenkan dakord që të shkrihen 15 bashki të tjera, kjo është turp”, deklaroi deputeti demokrat.
Bylykbashi kërkoi gjithashtu që të merret në shqyrtim edhe nisma tjetër legjislative për ndarjen territoriale. Deputeti demokrat iu referua edhe një projektligji të depozituar nga opozita në vitin 2022, duke akuzuar mazhorancën se e kishte lënë atë pa shqyrtuar për tre vjet.
“Kërkesa e parë: ndërpritet mbledhja dhe presim qëndrimin në lidhje me nismën tjetër legjislative. S’mund të preventivojmë një nismë duke e mbyllur me votim në seancë plenare. Ka ardhur në të njëjtën kohë nisma. Në 2022 kemi depozituar një projektligj për ndarjen territoriale-administrative. Për tre vite e mbajtët në sirtar, një procedurë që s’ka kuptim, që e keni miratuar ju. Një nismë legjislative nuk lëvizet milimetri. Ndërsa kësaj radhe, sa e solli qeveria me firmën e 10 deputetëve, me vrap sekretari i Përgjithshëm e dërgon për konsultim, ndërkohë që është në kundërshtim me ligjin”, deklaroi ai.
Bylykbashi kërkoi që në proces të përfshihen edhe autoritetet vendore dhe ekspertët, duke argumentuar se ndryshimet territoriale duhet të konsultohen me komunitetet që preken drejtpërdrejt.
“Kërkesa tjetër: kemi dy nisma, është proces kontrovers. Kushtetuta detyron që ndarja të bëhet me konsultim komuniteti. Ata po protestojnë. Meqë kemi dy nisma legjislative, të dyja të shkojnë te kongresi apo autoritetet lokale, ose ekspertët e saj të vijnë këtu dhe të japin një opinion në lidhje me këtë. Mendoni se me e-Albania ju zgjidhët pushtetin që është me zgjedhje. Jo, nuk zëvendësohet dot”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





