“Tetori Rozë” në Shkodër, Bilali: Fushatë sensibilizuese në çdo fshat
Javën e parë të muajit tetor në Shkodër janë kryer rreth 150 mamografi. Sektori i promovimit pranë njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër prej ditësh ka nisur fushatën në terren me qëllim sensibilizimin e vajzave dhe grave për kontrollet e gjirit. Shefja e shërbimit parësor pranë NJVKSH, Megi Bilali, tregon mbi rëndësinë e depistimeve.
“Fushatën e bëjmë kudo ku mendohet se zëri ynë duhet të dëgjohet dhe gratë kanë nevojë për sensibilizim. Vetëkontrolli i gjirit, ekografia dhe mamografia shpejtojnë jetë. Mamografitë kryhen çdo vit me orare të zgjatuara pranë spitalit dhe poliklinikës qendrore të Shkodër. Gjatë muajit tetor është pa rekomandim mjeku, ndërsa në muajt e tjerë me rekomandimin e mjekut, por gjithmonë falas”, tha Bilali.
Fushatat sensibilizuese kanë ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit tek gratë. Aktualisht në Shkodër mamografitë kryhen pranë 2 aparaturave në poliklinikë dhe spital.
“Çdo vit ka një interes në rritje. Shohim interesin e grave që ndalin dhe në zonat ku ne bëjmë sensibilizimin. Edhe në zonat më të thella, ku vite më parë nuk e kanë kuptuar rëndësinë e mamografisë”, tha ajo.
Mamografia çdo muaj të vitit është falas, ndërsa ndryshimi i muajit tetor është fakti se ajo kryhet pa rekomandim mjeku. Apeli i bluzave të bardha mbetet i njëjtë “më mirë të parandalosh sesa të kurosh.”
Gazetare: M Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




