The Wall Street Journal : Irani lëshon dy raketa balistike drejt bazës amerikano-britanike

Irani ka lëshuar dy raketa balistike drejt bazës së përbashkët ushtarake SHBA–Britani e Madhe në Diego Garcia, në Oqeanin Indian, raportoi The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Objektivi ndodhet rreth 4,000 kilometra larg territorit iranian, por asnjëra raketë nuk e goditi bazën.
Sipas raportit, njëra nga raketat dështoi gjatë fluturimit, ndërsa tjetra u interceptua nga një raketë mbrojtëse e lëshuar nga një anije luftarake amerikane. Pentagoni nuk ka dhënë koment mbi ngjarjen.
Diego Garcia, pjesë e Ishujve Chagos, është një nga bazat që Britania i ka lejuar Shteteve të Bashkuara të përdorin për operacione “mbrojtëse” kundër Iranit.
Forcat amerikane kanë vendosur bombardues dhe pajisje të tjera në këtë bazë, e cila ka shërbyer si qendër kyçe për operacionet në Azi, përfshirë fushatat e bombardimeve në Afganistan dhe Irak.
Britania ka rënë dakord që Ishujt Chagos t’ia kthejë Mauritiusit, pasi i ka mbajtur që nga vitet 1960, ndërsa baza në Diego Garcia mbetet e dhënë me qira për përdorim nga SHBA.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vendimin e Londrës për kthimin e ishujve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




