Tirana zyrtare reagon ndaj Hagës, Spiropali: Procesi i njëanshëm, po rishkruani historinë e Kosovës

Politikë | 8 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur sot shqetësimin e thellë të qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria kërkoi dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Në një deklaratë zyrtare, kryediplomatja shqiptare e cilësoi zgjatjen e procesit dhe natyrën e akuzave si elemente që rrezikojnë të cenojnë besimin te drejtësia ndërkombëtare.

Spiropali vuri theksin te kohëzgjatja e paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

“Kohëzgjatja e paraburgimit, e cila tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.,” u shpreh ajo.

Standardet e dyfishta me Serbinë

Pika më kritike e reagimit të Tiranës lidhet me asimetrinë e drejtësisë. Spiropali nënvizoi se ndërkohë që krerët e UÇK-së po gjykohen prej vitesh, krimet e aparatit shtetëror serb mbeten të pandëshkuara.

“Kjo situatë forcon gjithnjë e më tepër perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, veçanërisht kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të paadresuara dhe pa ndëshkueshmëri të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut te drejtësia ndërkombëtare.”, shkruan Spiropali.

Mbrojtja e luftës çlirimtare

Shqipëria rikonfirmon qëndrimin se UÇK ishte një lëvizje çlirimtare me mbështetje perëndimore kundër një agresori që kreu spastrim etnik. Spiropali paralajmëroi Gjykatën që të mos lejojë Prokurorinë të njollosë historinë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, përballë një regjimi që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të përfshirë në atë luftë, duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.”, thekson Spiropali.

Sipas saj, drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar përshtypjen e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Një drejtësi që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të hapë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm. Sot, Gjykata ka një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të cenojnë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund ta largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë. Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe në respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare për gjykimin e drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi një drejtësi të besueshme, e cila forcon paqen dhe jo perceptimet e padrejtësisë.”, shkruan Spiropali, duke nëvizuar se “Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme