Tragjedi në Pakistan, shembet çatia e një shkolle, 19 viktima, mes tyre 18 fëmijë

Botë | 50 minuta më parë

Të paktën 19 persona, mes tyre 18 nxënës dhe një mësues, kanë humbur jetën pas shembjes së çatisë së një shkolle në qytetin e Peshawarit, në Pakistan. Dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur të mbijetuar. (Foto BBC)

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat lokale, ngjarja e rëndë ndodhi të enjten në mëngjes, gjatë zhvillimit të mësimit, në Peshawar.

Autoritetet spitalore bënë të ditur se nxënësit që humbën jetën ishin të gjithë nën moshën 13 vjeç. Rreth 40 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore, ndërsa disa prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje kritike.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin e tij me të afërmit e fëmijëve që humbën jetën. Ai u lut gjithashtu për shërimin e shpejtë të të plagosurve dhe kërkoi që autoritetet të garantojnë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Edhe presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur të gjithë vendin. Ai kërkoi një hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në institucionet arsimore.

Ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në vendngjarje, pasi ekziston frika se fëmijë të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Shkaqet e shembjes së çatisë mbeten ende të paqarta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme