Tragjedi në Shkozë, 35-vjeçari i vë zjarrin banesës së prindërve të partneres, humbin jetën dy bashkëshortët

Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth mesnatës në zonën e Shkozës në Tiranë, ku një zjarr i qëllimshëm në një banesë sociale dyshohet se i ka marrë jetën një çifti bashkëshortësh. Policia ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, në Shkozë. Pas marrjes së njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje për të hetuar rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Nga hetimet paraprake, të kryera nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët e zjarrvënieve, dyshohet se 35-vjeçari me inicialet A. I. i ka vënë zjarrin banesës së çiftit I. Z., 65 vjeçe, dhe A. Z., 68 vjeç, të cilët ishin prindërit e bashkëjetueses së tij.
Si pasojë e zjarrit, të dy bashkëshortët u dërguan për ndihmë mjekësore, por humbën jetën në spital. Policia bën me dije se, pas veprimeve të menjëhershme hetimore dhe operacionale, 35-vjeçari i dyshuar për zjarrvënien u arrestua menjëherë pas ngjarjes.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




