Transportonin emigrantë nga Greqia drejt Malit të Zi, SPAK godet grupin kriminal, 6 në pranga dhe 1 në arrest shtëpie

Aktualitet | 1 orë më parë

SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal lidhur me trafikuan e paligjshëm të emigrantëve, ndërsa ka ekzekutuar 7 masa sigurie . Sipas SPAK grupi kriminal organizonte kundrejt pagesës kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetas të huaj. Gjashtë persona janë lënë në “arrest me burg”, ndërsa një shtetase në “arrest në shtëpi”.

Hetimet për rastin kanë nisur në vitin 2023, janë ushtruar gjithashtu 11 kontrolle personale dhe banesash.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se organizonte hyrjen e shtetasve të huaj nga Greqia në Shqipëri, jashtë pikave zyrtare të kalimit kufitar në qarqet e Korçës dhe Gjirokastrës. Më pas, emigrantët transportoheshin drejt veriut të vendit, në zonën e Hanit të Hotit, në Shkodër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Malit të Zi.

Grupet e emigrantëve përbëheshin nga 3 deri në 50 persona dhe shoqëroheshin nga organizatorë apo persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, kundrejt pagesave të ndryshme monetare.

SPAK bën me dije se, në kuadër të hetimeve, janë evidentuar disa episode të transportimit të emigrantëve gjatë periudhës maj-korrik 2024, ku dyshohet edhe për përfshirjen e punonjësve të policisë kufitare.

Mes rasteve të dokumentuara dyshohet se janë transportuar 3 shtetas të huaj nga Tirana drejt Hanit të Hotit, 21 persona nga zona e Gjirokastrës, si dhe grupe të tjera prej 11, 17 dhe 12 personash nga Korça dhe Gjirokastra drejt veriut të Shqipërisë.

Në një prej episodeve, më 7 korrik 2024, është tentuar transportimi i katër shtetasve të huaj nga qarku i Korçës drejt Hanit të Hotit, por drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë nga policia.

Një tjetër episod, i datave 8 dhe 9 korrik 2024, lidhet me transportimin e 12 shtetasve të huaj drejt zonës së Bajzës, në Malësinë e Madhe. Sipas hetimeve, në këtë rast dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër, të cilët, përmes veprimeve aktive, kanë ndihmuar kalimin e emigrantëve drejt kufirit me Malin e Zi.

Një nga episodet më të rënda të hetimit lidhet me datat 23 dhe 24 korrik 2024, kur 11 shtetas të huaj dyshohet se u transportuan nga Bilishti drejt Tiranës dhe më pas drejt Hanit të Hotit.

Sipas SPAK, pasi kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Malit të Zi, emigrantët u ndaluan dhe u morën peng nga pesë persona me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme.

Në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore malazeze, pengjet u liruan dhe tre prej personave të dyshuar për pengmarrjen u arrestuan.

Janë ekzektuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg”, për shtetasit:

  • J. K., i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
  • E. H., i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
  • A. B., i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
  • M. Gj., i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
  • V. N., i dyshuar për veprën penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 3 dhe 4 të Kodit Penal.
  • K.T., i dyshuar për veprën penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 3 dhe 4 të Kodit Penal.

Masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasen:

  • K. B., e dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme