Trump kërkon marrjen e kontrollit ndaj naftës së Iranit, shqyrton mundësinë e pushtimit të ishullit Kharg

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të preferonte që Shtetet e Bashkuara të merrnin kontrollin e naftës së Iran, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e pushtimit të Ishulli Kharg, një nyje kyçe për eksportet iraniane.
Në një intervistë për Financial Times, ai e krahasoi këtë ide me situatën në Venezuelë, ku sipas tij SHBA mund të mbajë kontroll mbi industrinë e naftës për një periudhë të gjatë.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ka ndikuar ndjeshëm në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës Brent ka shënuar rritje të fortë, duke kaluar 116 dollarë për fuçi.
Trump konfirmoi gjithashtu se SHBA ka rritur praninë ushtarake në rajon, me rreth 10 mijë trupa të dislokuar ose në rrugë për t’u dislokuar, përfshirë njësi të marinës dhe të Divizionit të 82-të Ajror.
Megjithatë, një operacion i mundshëm ndaj Ishullit Kharg konsiderohet me rrezik të lartë, pasi mund të sjellë më shumë humbje njerëzore dhe të zgjasë konfliktin.
Ndërkohë, situata është përkeqësuar edhe më tej pas sulmeve të fundit në rajon, përfshirë një incident në Arabia Saudite ku u plagosën ushtarë amerikanë, si dhe një sulm me raketë nga rebelët Huthi në Jemen drejt Izrael.
Pavarësisht retorikës së ashpër, Trump theksoi se negociatat indirekte me Iranin, përmes ndërmjetësve pakistanezë, po përparojnë dhe mund të çojnë në një marrëveshje të shpejtë. Ai vendosi si afat datën 6 prill për arritjen e një marrëveshjeje, përndryshe paralajmëroi sulme të tjera ndaj sektorit energjetik iranian.
Ai përmendi gjithashtu Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës, duke lënë të hapur mundësinë e rihapjes së saj në rast armëpushimi.
Në deklaratat e tij, Trump pretendoi edhe për ndryshime në udhëheqjen iraniane, duke përmendur vrasjen e Ali Khamenei dhe spekulime për gjendjen e djalit të tij, Mojtaba Khamenei. Megjithatë, autoritetet në Teheran kanë mohuar këto pretendime dhe kanë insistuar se udhëheqja e vendit është e sigurt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




