Tumoret e traktit tretës, mjekët: Kontrolli i hershëm dhe kujdesi me ushqimin mbeten thelbësorë
Vitet e fundit është vënë re një shtim i rasteve me tumore të traktit tretës në juglindje të vendit. Sipas bluzave të bardha, numri më i lartë i rasteve konstatohet veçanërisht tek personat mbi moshën 50-vjeçare.
Mjekja onkologë, Jusilda Dervishi shprehet se një ndër faktorët kryesorë që ndikon në shfaqjen e këtyre sëmundjeve lidhet me regjimin ushqimor dhe stilin e jetesës.
“Ndoshta kjo lidhet edhe me kequshqyerjen, pasi ka një numër shumë të madh rastesh me kancer të kolonit, kancer të rektumit, të ventrikulit dhe të pankreasit”, nënvizon mjekja.
Mjekët theksojnë se pacientët duhet t’i kushtojnë rëndësi çdo shenje paralajmëruese, duke iu drejtuar menjëherë specialistit.
“Tumoret e traktit tretës mund të nisin me një diskomfort ose me një dhimbje të thjeshtë barku. Por shenjat alarmante janë feçet me ngjyrë të zezë, si katran, si edhe prania e gjakut të kuq gjatë defekimit”, tha mjekja.
Specialistët rekomandojnë një regjim ushqimor sa më të shëndetshëm dhe aktivitete fizike.
“Sa më pak mish të kuq, sa më shumë fruta dhe perime, sa më pak yndyrna të dëmshme dhe sa më shumë vaj ulliri, si edhe, normalisht, aktivitet fizik”, apelojnë mjekët.
Mjekët apelojnë që kontrollet periodike të mos neglizhohen, pasi diagnostikimi në faza të hershme rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së pacientëve.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




