Tumoret në tru, shenjat që nuk duhen neglizhuar, mjeku: Diagnostikimi i hershëm, faktor kyç për trajtimin e suksesshëm

Shëndet | 3 muaj më parë

Dhimbjet e vazhdueshme të kokës, çrregullimet e shikimit apo ndryshimet neurologjike janë disa nga shenjat që mund të sinjalizojnë probleme serioze në tru.

Neurokirurgu Jurgen Kinka tregon cilat se janë shenjat e para që mund të paralajmërojnë praninë e një tumori në tru.

“Në varësi të funksionit që ka një lob i caktuar, ai prodhon edhe simptomat përkatëse. Nëse preket zona ku lokalizohen mendimi apo logjika, pacientët ndjejnë shpërqendrim. Kur preket zona ku lokalizohet shikimi, shfaqen çrregullime të shikimit, si edhe shenja të tjera, si epilepsia apo mpirje e therje në njërën anë ose në të dyja anët e trupit”, tha ai.

Jo çdo dhimbje koke lidhet me tumor cerebral.

“Vetëm disa lloje tumoresh, të cilat lokalizohen te dhomat e trurit, aty ku qarkullon, po e them në thonjëza, “uji i trurit” në gjuhën popullore, nëse bllokojnë qarkullimin e tij, shkaktojnë dhimbje të forta koke”, tha neurokirurgu.

Si vendoset diagnoza dhe cilat janë mundësitë e trajtimit sot në neurokirurgji?

“Duhet të bëhen ekzaminimet klinike dhe neurologjike. Më pas vazhdohet me ekzaminimin imazherik, siç është skaneri. Më tej kryhet rezonanca magnetike me kontrast, e cila tregon nëse kemi një tumor që e merr kontrastin apo jo. Në bazë të këtyre ekzaminimeve, ne jemi të gatshëm për të kryer ndërhyrjen”, theksoi Kinka.

Diagnostikimi i hershëm mbetet faktor kyç për trajtimin e suksesshëm të tumoreve në tru. Çdo simptomë e pazakontë ose e vazhdueshme neurologjike duhet të vlerësohet në kohë nga mjeku specialist.

Gazetare: B. Cini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme