Turistët mësojnë vallet korçare, të mahnitur nga folklori i juglindjes së Shqipërisë
Përveç trashëgimisë kulturore, siteve arkeologjike, bukurive natyrore dhe gatimeve tradicionale, vizitorët e huaj po tregojnë interes të veçantë edhe për folklorin dhe vallet tradicionale të juglindjes së Shqipërisë.
Për dy ditë me radhë, koreografi Bardhi Pojani u ka mësuar vallet e krahinës së Korçës një grupi turistësh gjermanë, të cilët janë shprehur të mrekulluar nga ritmet, eleganca dhe veçantia e tyre.
“Është shumë bukur të mësosh vallet tuaja. Janë valle shumë të bukura. Vallja shqiptare ndryshon nga kërcimet tona gjermane. Ka një elegancë të veçantë“, tha një turist.
“Për mua është hera e parë në Shqipëri. Po kënaqemi shumë dhe qershia mbi tortë është të mësojmë kërcimet tuaja tradicionale. Është shumë bukur kur kapeni bashkë prej duarsh dhe luani. Korça është një nga qytetet më të qeta që kemi parë, një qytet plot kulturë“, u shpreh një tjetër.
“Vallet tuaja janë burrërore. Të bëjnë të ndihesh i fortë. Do t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë kur të kthehemi në Gjermani“, tha turisti.
Sipas Gloria Nures, specialiste e muzikës në Qendrën e Artit dhe Kulturës, çdo vit shtohet numri i turistëve që kërkojnë të njihen nga afër me folklorin vendas.
“Këtë vit rastin e kemi të jemi me turistët e Gjermanisë, të cilët përveç se janë njohur me pjesën historike të qytetit kanë shprehur dëshirën edhe për tu njohur me folklorin, me traditat kulturore të qytetit dhe u ka pëlqyer shumë”, tha Nures.
Folklori, mikpritja dhe traditat e pasura po kthehen gjithnjë e më shumë në një prej arsyeve kryesore që turistët zgjedhin Korçën si destinacion për t’u rikthyer.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




