Turizmi rrit nevojën për shërbime mjekësore, bluzat e bardha në gatishmëri maksimale gjatë verës edhe në qarkun Kukës
Gjatë sezonit turistik veror, të gjitha qendrat shëndetësore në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë do të jenë në gatishmëri të plotë për t’u ofruar ndihmë mjekësore si banorëve ashtu edhe turistëve vendas e të huaj.
Drejtori i FSDKSH Kukës, Liman Morina, bën të ditur se gjatë muajve korrik dhe gusht pritet një fluks më i lartë pacientësh, ndërsa qendrat shëndetësore janë të pajisura me bazën e nevojshme materiale për të garantuar ndërhyrje të shpejta dhe efikase.
“Qarku i Kukësit është i pajisur me stafin e nevojshëm mjekësor, me mjekë dhe infermierë të mjaftueshëm në të gjithë territorin e qarkut, nga Kukësi deri në Tropojë. Stafi mjekësor është në dispozicion dhe në gatishmëri të plotë për t’u shërbyer qytetarëve dhe vizitorëve. Gatishmëria ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, por në sezonin veror angazhimi është edhe më i madh për shkak të fluksit të shtuar të turistëve që frekuentojnë zonat turistike të qarkut. Në këto kushte, shërbimet shëndetësore mbeten të përkushtuara për të garantuar kujdesin e nevojshëm për çdo rast që mund të paraqitet”, tha Morina.
Sipas Morinës, rastet më të shpeshta që kërkojnë trajtim gjatë kësaj periudhe lidhen me dëmtime nga aksidentet gjatë ecjeve dhe ngjitjeve në male, si dhe pickimet nga insektet apo gjarpërinjtë.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





