Turqia, Katari, Indonezia dhe Pakistani nënshkruajnë Memorandumin për të fuqizuar bashkëpunimin ushtarak

Europë | 58 minuta më parë

Turqia, Katari, Indonezia dhe Pakistani kanë nënshkruar zyrtarisht Memorandumin “Badr”, një marrëveshje strategjike që synon fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimin e partneriteteve ushtarake, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare përmes një deklarate zyrtare.

Marrëveshja u nënshkrua në Doha të Katarit nga Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Shtetit për Çështjet e Mbrojtjes i Katarit Sheiku Saud bin Abdulrahman bin Hasan Al Thani, Zëvendësministri i Mbrojtjes i Indonezisë Yusuf Jauhari dhe Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit Khawaja Muhammad Asif. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm gjithashtu edhe Haluk Görgün, kreu i Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Türqisë.

Marrëveshja e emërtuar “Badr” ka si objektiv kryesor nxitjen e bashkëpunimit në prodhimin ushtarak, fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, si dhe mbështetjen e trajnimeve teknike ushtarake, kërkimit dhe zhvillimit. Sipas ministrisë, kjo nismë do të ndihmojë në krijimin e zgjidhjeve teknologjike dhe zhvillimin e sektorëve industrialë në linjë me avancimet e sistemeve moderne të mbrojtjes.

Memorandumi mbart një rëndësi të veçantë ekonomike për shtetet nënshkruese, pasi bashkon kapacitetet e tyre të prodhimit ushtarak, përmirëson integrimin dhe fuqizon industritë e mbrojtjes për të plotësuar nevojat e vendeve aleate e miqësore.

Kjo marrëveshje pritet të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak mes vendeve pjesëmarrëse, të thellojë lidhjet industriale dhe të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe objektivave të përbashkëta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme