U dorëhoq nga detyra si ministre e Shëndetësisë, Sala: Kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare në onkolologji, mirënjohëse Ramës për mbështetjen

Evis Sala ka bërë me dije se ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sala deklaroi se vendimi vjen pasi ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës, atë të onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit. Sala tha se mbledhja e fundit e kabinetit qeveritar ishte edhe dita e fundit e saj në këtë detyrë.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion”, shkroi ajo.
Sala mori detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale një vit më parë. Në mesazhin e saj, ajo falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit shëndetësor e të mirëqenies sociale. Ajo vlerësoi gjithashtu punën e bërë gjatë këtij viti në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se disa prej ndryshimeve janë tashmë të dukshme, ndërsa të tjera sapo kanë nisur. Sala nënvizoi se largimi nga posti ministror nuk do të thotë shkëputje nga angazhimi i saj për Shqipërinë.
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Sala ka bërë më tej një bilanc të punës së saj në ministri, duke theksuar se gjatë këtij viti fokusi ka qenë te zgjidhja e problematikave të menjëhershme, por edhe te ndërmarrja e reformave afatgjata në sistemin shëndetësor. Një prej prioriteteve kryesore, sipas saj, ka qenë reforma në onkologji. Sala tha se gjatë këtij viti është ngritur Instituti Kombëtar i Onkologjisë dhe ka nisur ndërtimi i Rrjetit Kombëtar Onkologjik, ndërsa partneriteti me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano synon të sjellë në Shqipëri modele të avancuara europiane të kujdesit ndaj pacientëve me kancer.
Ajo bëri me dije se janë miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi dhe janë përmirësuar tre qendra ditore të kimioterapisë. Sipas Salës, në vitin 2026 janë shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, janë përfshirë 21 barna inovative dhe është zgjeruar me 23% lista e barnave antitumorale për përdorim spitalor.
“17% më shumë pacientë me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim”, shkroi Sala, duke e cilësuar këtë si një prej rezultateve më të rëndësishme të reformës. Në bilancin e saj, ish-ministrja përmendi edhe forcimin e shërbimeve të radioterapisë dhe imazherisë, duke njoftuar se është vënë në funksion akseleratori i tretë dhe se pritet të vihet në punë edhe i katërti.
Sala renditi gjithashtu shërbime të reja të ofruara në spitale, përfshirë trombektominë dhe DSA-në në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe laboratorin e ri të hemodinamikës në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Në fokus ka qenë edhe digjitalizimi i sistemit shëndetësor. Sipas saj, ka nisur kalimi drejt spitaleve “paperless”, me synimin që informacioni klinik dhe imazherik të ndjekë pacientin dhe të jetë i aksesueshëm në mënyrë të sigurt dhe në kohë reale, edhe përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
Për parandalimin, Sala përmendi heqjen e kufirit të moshës për Check-up-in, dyfishimin e përfituesve të programeve të depistimit për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës, si dhe zgjerimin e vaksinimit kundër HPV-së. Ajo theksoi gjithashtu rritjen e pagave për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë, si dhe angazhimin për përfshirjen e diasporës shqiptare në sistemin shëndetësor.
Fjala e plotë:
Një vit më parë, kur m’u besua drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për mua ishte e qartë se duhej të punonim njëkohësisht në dy drejtime: të zgjidhnim problemet e sotme dhe, në të njëjtën kohë, të ndërmerrnim reforma që ndryshojnë shëndetësinë për të nesërmen, me një parim të vetëm në qendër: shërbimi i duhur për çdo pacient. Një nga tre prioritetet e mia kryesore ka qenë reforma në onkologji. Sot, një vit më pas, kjo reformë ka rezultate konkrete dhe të prekshme.
Për herë të parë kemi ngritur Institutin Kombëtar të Onkologjisë dhe po ndërtojmë Rrjetin Kombëtar Onkologjik. Partneriteti strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano do të sjellë në Shqipëri modelet më të avancuara europiane të kujdesit onkologjik. Kemi miratuar tashmë 38 protokolle të unifikuara të trajtimit. Kemi përmirësuar tre prej qendrave ditore të kemioterapisë me parimin: ta çojmë shërbimin pranë pacientit, sa herë që kjo është e mundur dhe e sigurt.
Gjatë këtij viti, garantimi i barnave antitumorale dhe përmirësimi i aksesit në terapitë moderne kanë qenë ndër sfidat tona më të rëndësishme. Në vitin 2026 kemi shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, kemi futur 21 barna inovative dhe kemi zgjeruar me 23% barnat antitumorale për përdorim spitalor. Por rezultati më i rëndësishëm nuk është ai që shkruhet në një raport. Është ai që shihet te pacienti. 17% më shumë pacient me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim. Pjesë e reformës në onkologji ka qenë edhe forcimi i radioterapisë dhe i imazherisë. Falë punës dhe përkushtimit të ekipeve, u vu në funksion akseleratori i tretë me teknologji bashkëkohore dhe së shpejti do t’i bashkohet edhe akseleratori i katërt. Por puna jonë nuk është ndalur tek onkologjia.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë ofrohen trombektomia dhe DSA-ja, ndërsa së shpejti do të ngrihet edhe shërbimi i geriatrisë. Në Spitalin “Shefqet Ndroqi” sapo është ngritur laboratori i ri i hemodinamikës. Kemi ulur ndjeshëm kohën e pritjes për ekzaminime diagnostikuese të avancuara, si skaner dhe rezonancë. Në të njëjtën kohë, kemi nisur kalimin drejt spitaleve “paperless”, ku informacioni ndjek pacientin dhe jo pacienti letrat. Po krijojmë kushtet për një ekosistem shëndetësor të ndërlidhur, ku informacioni klinik dhe imazherik të jetë i aksesueshëm në mënyrë të sigurt dhe në kohë reale duke u mbështetur në Inteligjencën Artificiale. Por një sistem i mirë shëndetësor nuk fillon në spital. Ai fillon shumë më herët: te parandalimi, te një kontroll që bëhet në kohë, te një diagnozë që vendoset më herët.
Prandaj kemi:
- hequr tavanin moshor për Check-up-in
- kemi dyfishuar përfituesit e programeve të depistimit të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës;
- si dhe kemi zgjeruar vaksinimin kundër HPV-së.
Dhe, mbi të gjitha, kemi investuar te njerëzit e sistemit. Në janar rritëm pagat për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë. Por përtej pagave, kemi punuar çdo ditë për të mbështetur dhe fuqizuar angazhimin e diasporës shqiptare në shëndetësi. Sot kemi rezultate konkrete: nga kontributi i profesionistëve të diasporës në reformën e onkologjisë, deri te mjekët që janë angazhuar drejtpërdrejt në sistemin spitalor në vend. Sepse Shqipëria ka një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor edhe jashtë kufijve të saj dhe duhet të krijojë gjithmonë ura që këtë dije, eksperiencë dhe profesionalizëm ta lidhin me vendin. Dhe kujdesi për njerëzit nuk përfundon te shërbimi shëndetësor.
Nga 1 korriku kemi dyfishuar pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kemi njohur kontributet shoqërore për kujdestarët e tyre. Kemi zgjeruar shërbimet sociale në bashki dhe qarqe dhe kemi forcuar mbështetjen për të moshuarit, fëmijët dhe familjet në nevojë. Të gjitha këto rezultate, pavarësisht angazhimit tim si ministre dhe si mjeke, nuk do të ishin të mundura pa kontributin e çdo hallke të sistemit: të mjekëve dhe infermierëve, profesionistëve të kujdesit parësor, spitaleve, shëndetit publik, administratës, mirëqenies dhe përfshirjes sociale. Secilit prej tyre i jam thellësisht mirënjohëse.
Sot, në përfundim të këtij viti intensiv pune, i jam veçanërisht mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin që më dha për të marrë këtë përgjegjësi dhe për mbështetjen që më ka dhënë çdo ditë në drejtimin e një institucioni me sfida të mëdha. E vlerësoj veçanërisht mundësinë që pata për të sjellë në shërbimin publik shqiptar eksperiencën dhe standardet profesionale të fituara gjatë shumë viteve të punës sime ndërkombëtare. I jam mirënjohëse gjithashtu çdo qytetari që gjatë këtij viti më ka shkruar, më ka kontaktuar, më ka kritikuar apo më ka propozuar një mënyrë për të përmirësuar një shërbim, një standard apo një proces. Shërbimi publik ka kuptim vetëm kur dëgjon njerëzit për të cilët punon. Për mua, ky vit ka qenë një privilegj, një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi për t’i kthyer Shqipërisë një pjesë të asaj që kam mësuar gjatë një karriere shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare prej më shumë se 30 vitesh. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion.
Ai ka qenë dhe do të mbetet pjesë e punës sime si mjeke, akademike dhe profesioniste shqiptare në arenën ndërkombëtare. Do të vazhdoj të kontribuoj me dijen, eksperiencën dhe rrjetin tim profesional dhe ta përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet kudo ku kam mundësinë të jap kontributin tim. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk ka kufij!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




