Urgjenca e Kukësit e mbingarkuar, mjekët thonë se ndryshimet klimatike sollën fluks pacientësh
Urgjenca e Spitalit Rajonal në Kukës duket më e populluar se ditët e tjera.
Janë të shumtë qytetarët që kërkojnë të marrin trajtim mjekësor, por edhe konsulta me mjekët specialistë.
Këtë numër të lartë qytetarësh që paraqiten orë pas ore, shefi i Urgjencës, Emin Ferati, e lidh me ndryshimet klimatike dhe virozat e kësaj periudhe.
“Për shkak të ndryshimeve klimaterike të menjëhershme, uljeve të menjëhershme të temperaturave në zonat e Kukësit, ka një fluks të shtuar të të sëmurëve që vijnë e kërkojnë ndihmë në Urgjencë. Janë gati të gjitha moshat, kryesisht moshat pediatrike. Vijnë me temperatura, me kollë, me dhimbje fyti, që janë shenjat e një viroze,” thotë Dr. Ferati.
Problem shqetësues për urgjencën, por edhe mjekët specialistë në Spitalin Rajonal të Kukësit, mbetet mosparaqitja e qytetarëve pranë mjekut të familjes, aty ku mund të marrin edhe shërbimin për trajtimin e rasteve më të thjeshta dhe që nuk kërkojnë hospitalizim.
“Ky është një defekt shumë i madh në Kukës, por edhe në gjithë Shqipërinë, ma merr mendja, për shkak se anashkalohet mjeku i familjes. Të gjithë vijnë në urgjencë, ndërkohë që për një temperaturë të rriturit nuk kanë pse vijnë në urgjencë. Mund të marrin një paracetamol në shtëpi me qëllim që të mos mbingarkohet urgjenca. Sot nuk kemi vend për të sëmurët e tjerë, për shkak se kapaciteti i urgjencës kaq është,” deklaron shefi i Urgjencës.
Vetëm në 24 orët e fundit, në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit janë paraqitur rreth 170 raste me simptoma të ndryshme. Pjesa më e madhe e moshës pediatrike dhe moshës së tretë.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




