Urgjenca reagon pas bllokimit të ambulancës gjatë protestës: Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas incidentit gjatë protestës në Tiranë, ku një ambulancë u bllokua nga disa protestues. Përmes një deklarate, Qendra Kombëtare e Urgjencës u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë lëvizjen e ambulancave, duke theksuar se çdo vonesë mund të rrezikojë jetën e personave që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Urgjenca, në Tiranë regjistrohen zakonisht rreth 250–280 vizita dhe ndërhyrje në ditë, ndërsa gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.
“Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron se ambulancat dhe ekipet e saj kanë një mision të vetëm: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe shpëtimin e jetëve. Ato janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për kujdes urgjent, pa asnjë dallim.
Gjatë protestave, ekipet e Urgjencës Mjekësore janë në gatishmëri për t’u përgjigjur çdo rasti që kërkon ndërhyrje, ndërkohë që vijojnë të përballojnë të gjitha urgjencat e tjera mjekësore.
Në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej rreth 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë”, thuhet në njoftim.
Urgjenca thekson se pengimi i lëvizjes së ambulancave, vonesat apo cenimi i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirësojnë ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik.
Për këtë arsye, institucioni apelon që ambulancat të lejohen të lëvizin lirisht në çdo rrethanë dhe që personeli mjekësor të mos pengohet gjatë ushtrimit të detyrës.
“Në këto kushte, çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik.
QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë lëvizjen e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit mjekësor. Ambulancat duhet të lejohen të përmbushin misionin e tyre në çdo rrethanë.
Çdo pretendim për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




