Ushqyerja dhe imuniteti, si të mbrohemi nga virozat sezonale
Virozat sezonale vijojnë të prekin një numër të lartë fëmijësh dhe të rriturish, sidomos gjatë stinës së ftohtë. Përveç masave parandaluese, rëndësi të veçantë ka edhe ushqyerja e përditshme, e cila ndikon drejtpërdrejt në forcimin e sistemit imunitar.
“Ushqimet që forcojnë më shumë imunitetin janë ato të pasura me vitaminë C, si agrumet, kivi dhe specat; ato me vitaminë A, si brokoli dhe karrota. Gjithashtu, zinku që e gjejmë tek farat e kungullit dhe arrat. Proteinat cilësore që i gjejmë tek vezët, peshku dhe bishtajoret, si edhe probiotikët natyralë, si kosi dhe kefiri,” tha dietologia Klea Bilali.
Ushqyerja luan rol thelbësor në mbështetjen e imunitetit, sidomos tek fëmijët, të cilët janë më të ekspozuar ndaj virozave.
“Tek fëmijët, mungesat ushqyese dobësojnë mbrojtjen natyrale. Është thelbësor kombinimi i frutave, proteinave dhe yndyrnave të shëndetshme për të ulur rrezikun ndaj virozave”, tha ajo.
Krahas ushqimeve që rekomandohen, dietologia thekson edhe nevojën për të shmangur disa zakone të gabuara ushqimore gjatë periudhave me viroza.
“Gabimet më të shpeshta janë konsumi i lartë i sheqernave, i ushqimeve të përpunuara, mungesa e proteinave, ndërkohë që organizmi ka nevojë për më shumë prej tyre për të prodhuar antitrupa. Po ashtu, shmangia e plotë e ushqimit për shkak të mungesës së oreksit mund të çojë në dobësim të mëtejshëm. Gjithashtu, vetë-mjekimi me suplemente pa nevojë reale, duke neglizhuar bazën kryesore një dietë e balancuar dhe hidratim i mjaftueshëm”, nënvizoi ajo.
Një ushqyerje e ekuilibruar, e kombinuar me kujdesin e përgjithshëm shëndetësor, mbetet një nga elementët kryesorë në përballimin e virozave sezonale dhe në ruajtjen e një imuniteti të qëndrueshëm për të gjitha moshat.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





