Vaksina kundër HPV-së edhe për djemtë – 422 vajza të vaksinuara në tri vite në Gjirokastër
Pas vajzave, për herë të parë në Shqipëri janë përfshirë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV –së edhe djemtë e moshës 13 vjeçare.
Duke nisur nga janari e në vazhdim djemtë e kësaj moshe mund ta aplikojnë këtë vaksinë falas në qendrat shëndetësore. Shqipëria përdor vaksinën 4 valente thotë Drita Hine, drejtoreshë e qendrës shëndetësore bashkia Gjirokastër.
“Djemtë që mbushin moshën 13 vjeç në janar dhe në vazhdim do të aplikojnë vaksinën HPV njësoj siç e kanë aplikuar dhe vajzat. Në vendin tonë aplikohet vaksina 4 valente e cila është përgjegjëse për 4 tipe të HPV”, u shpreh Hine.
Ky proces për vajzat ka nisur që në nëntor të 2022 dhe nga viti në vit është vërejtur rritje e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë që ka për mirëqenien e shëndetit.
“Pavarësisht punës që kemi bërë si personel shëndetësor fillimisht tek vajzat është vënë re një hezitim për aplikimin e kësaj vaksine por shihet që kohët e fundit interesi është rritur”, tha ajo.
Burime nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor Gjirokastër bëjnë të ditur se që prej fillimit të fushatës 3 vite më parë janë vaksinuar 422 vajza.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




