Vaksinimi – Bie interesi në Shkodër, specialisti: Mënyra më e sigurt për mbrojtjen e fëmijëve
Ndërkohë që në Shkodër vijon fushata e vaksinimit kundër gripit dhe vërehet interes në rritje për marrjen e vaksinës, veçanërisht nga të moshuarit mbi 60 vjeç, e njëjta gjë nuk mund të thuhet sa i përket vaksinimit të fëmijëve.
Sipas kryevaksinatorit pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, veçanërisht gjatë muajve të fundit është vërejtur një rënie e interesit të prindërve për vaksinimin e fëmijëve.
“Duke parë statistikat e tremujorit, ka një rënie të interesit të vaksinimit. Gjej rastin ti them prindërve t’i vaksinojnë fëmijët sepse i mbron nga shumë sëmundje që mund të jenë prezent në një moment të befasishëm”, tha Arben Xhabia, kryevaksinator në Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Shkodër.
Hezitimi më i madh vihet re ndaj vaksinës kundër fruthit, rubeolës dhe shytave, pasi një pjesë e prindërve e lidhin ende me rrezikun e autizmit, duke e shtyrë vaksinimin derisa fëmija të fillojë të flasë. Por sipas specialistëve, ky shqetësim nuk ka asnjë bazë shkencore.
“Nuk ka asnjë bazë shkencore sepse autizmi ka raste që është shfaqur edhe tek fëmijë që nuk janë vaksinuar”, tha Xhabia.
Ekspertët theksojnë se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më të sigurta dhe më efektive për të mbrojtur foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nga sëmundjet potencialisht të rënda dhe me pasoja afatgjata për shëndetin.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




