Vaksinimi HPV tek djemtë, në Korçë specialistët e shëndetit publik raportojnë rritje të interesit të prindërve për vaksinimin

Shëndet | 5 muaj më parë

Në Korçë vihet re një ecuri pozitive sa i përket aplikimit të vaksinës HPV tek djemtë. Sipas kryevaksinatores, Fjoralba Dhima, vitet e fundit ka pasur rritje të interesit nga prindërit për vaksinimin e fëmijëve, si një mënyrë parandaluese ndaj virusit HPV dhe problematikave shëndetësore që ai mund të shkaktojë.

“Në qoftë se deri vjet vaksinoheshin vetëm vajzat 13-vjeçare dhe fushata ishte e fokusuar te kjo grupmoshë, nga 1 janari e këtej përfshihet e gjithë grupmosha, pra si vajzat ashtu edhe djemtë, që mund ta përfitojnë këtë vaksinë. Në këtë mënyrë parandalojmë menjëherë shumë sëmundje që lidhen me kancerin. Për të dyja grupmoshat dhe për të dyja gjinitë është shumë e rëndësishme mbrojtja dhe aplikimi i kësaj vaksine. Jemi në shifra shumë të kënaqshme për aplikimin e vaksinës HPV, si te vajzat ashtu edhe te djemtë. Përqindja e vaksinimit është mbi 85–90%”, u shpreh Fjoralba Dhima, Kryevaksinatore.

Dhima shprehet se ndërgjegjësimi në komunitet është rritur ndjeshëm, ndërsa informimi i vazhdueshëm në shkolla dhe qendra shëndetësore ka ndikuar në shtimin e numrit të aplikimeve. Sipas saj, vaksina rekomandohet në moshë të hershme, përpara ekspozimit ndaj virusit, duke ofruar mbrojtje më të lartë.

“Për këtë vaksinë, ne vazhdojmë punën në kuadër të programit të vaksinimit, si edhe për vaksinat e tjera. Fushata shtrihet edhe në shkolla, ku në klasat e shtata dhe të teta kemi zhvilluar sensibilizime që fëmijët të vijnë të vaksinohen. Kemi pasur kërkesa edhe nga grupmosha më të mëdha, por momentalisht nuk mund t’i vaksinojmë”, tha ajo.

Specialistët theksojnë se përfshirja edhe e djemve në skemën e vaksinimit është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për uljen e përhapjes së virusit në komunitet.

Gazetare: Geralda Manush

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme