Vaksinimi kundër gripit/ Mbi 3800 doza të aplikuara që nga fillimi i fushatës në Kukës
Interesi për vaksinimin kundër gripit vijon të jetë i lartë në Kukës, ku prej 22 shtatorit janë aplikuar mbi 3,800 doza në të gjitha qendrat shëndetësore.
“Fushata e vaksinimin kundër gripit sezonal ka vazhduar edhe në rrethin e Kukësit që prej 22 shtatorit. Ka qenë një fushatë shumë e mirë duke qenë se të gjithë kategoritë me risk të lartë kanë treguar një interes shumë të lartë”, u shpreh Denisa Duraku, Shefe e Epidemiologjisë.
Procesi i vaksinimit po zhvillohet normalisht, dhe sipas shefes së Epidemiologjisë, Denisa Duraku, furnizimi me vaksina është i mjaftueshëm. Ajo thekson se qytetarët mund të vaksinohen pa pengesa dhe se personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit rekomandohen të marrin vaksinën për të shmangur komplikacionet gjatë sezonit të virozave.
“Kryesisht janë të sëmurët kronik dhe mosha e tretë që kanë treguar më shumë interes për vaksinimin. Dozat janë të disponueshme dhe te aksesueshme në çdo qendër shëndetësore”, tha ajo.
Numri i të prekurve nga gripi është në rritje, siç ndodh zakonisht në këtë periudhë të vitit. Ndërkohë, për situatën e Covid-19, në bashkinë e Kukësit aktualisht nuk është raportuar asnjë rast.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




