Vaksinimi kundër gripit, mjekët apelojnë për mbrojtje të grupmoshave të rrezikuara
Me afrimin e vjeshtës dhe uljen e temperaturave është rritur rreziku i përhapjes së virozave stinore. Më të prekurit mbeten fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Mjekët kanë filluar sensibilizimin e banorëve për vaksinimin kundër gripit, që pritet të nisë gjatë javës së ardhshme. Ndërkohë që mbetet thelbësor për të shmangur komplikacione të rënda, sidomos për grupet më të rrezikuara.
“Kemi bërë planin dhe e kemi dorëzuar pranë IVKSH-së. Jemi në pritje shumë shpejt që të pajisemi me vaksinën e gripit dhe të vazhdojmë me vaksinimin e popullatës,” thotë mjeku Përparim Zela.
Qytetarët në Kukës shprehen të ndarë në lidhje me vaksinimin. Ndërsa disa janë të rregullt çdo vit, të tjerë hezitojnë ende.
“Kam 15 vjet që e bëj. Në fillim e blija në farmaci 12 mijë lekë. Tashti e bëj vazhdimisht, se të bën mirë, të lehtëson, jo se të heq gripet krejt.“
“Janë të detyrueshme vaksinat, se kemi pasoja mbrapa.“
“As [vaksinë] gripi s’kam bërë, as kovidi. Asnjë lloj vaksine në trupin tim.“
“As vetë dhe as fëmijët. Përdorim më shumë mjetet popullore, lulet, bimët, çajrat. Antibiotiku më i madh për trupin e njeriut është ai që do.“
Zyrtarisht vaksinimi kundër gripit pritet të nisë në datën 22 shtator.
Këtë vit, për herë të parë, qytetarët kanë mundësi të zgjedhin vendin dhe orarin e vaksinimit përmes platformës e-Albania, duke shmangur radhët dhe vonesat.
Mjekët në Kukës apelojnë që qytetarët të vaksinohen në kohë për të mbrojtur veten dhe të afërmit.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




