Vaksinimi kundër “Human Papiloma”, ISHP: 3400 djem të vaksinuar që nga Janari
Studimi i botuar së fundmi në prestigjiozen “The Lancet” për eliminimin e vdekjeve nga kanceri i shkaktuar nga virusi “Human Papilloma” tek gratë dhe burrat që janë vaksinuar herët në Angli ka bërë jo pak jehonë mediatike.
Për 4 vite, nga 2020-2024 janë shënuar 0 raste.
“Gjetjet tona ofrojnë provat e para të forta në nivel kombëtar, megjithëse vëzhguese, se mbulimi i lartë i vaksinimit kundër HPV-së shoqërohet me një ulje të konsiderueshme të vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës. Kjo tregohet nga rënia e konsiderueshme e vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës e vërejtur tek gratë e moshës 20-29 vjeç në Angli, veçanërisht midis atyre të vaksinuara në moshat 12-13 vjeç”, thuhet në studim.
Që prej vitit 2022 Shqipëria ka futur në kalendarin e detyrueshëm këtë vaksinë për vajzat dhe që prej janarit të këtij viti edhe për djemtë e moshës 13 vjeç. Sipas ISHP nga 15 mijë që I përkasin kësaj moshe, 3400 janë vaksinuar
“Administrimi i vaksinës ka shkuar shumë mirë. Deri më tani janë vaksinuar 25% e djemve të kësaj moshe dhe përthithja ka qenë e mirë. Vajzat vaksinohen kundër HPV-së me një dozë në moshën 13-vjeçare, sipas Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit, ku vaksina ofrohet falas. Kemi vënë re gjithashtu interes edhe nga djem më të rritur, 14–15 vjeç e sipër, të cilët kanë kërkuar të vaksinohen. Aktualisht, programi kombëtar përfshin vetëm djemtë 13-vjeçarë. Megjithatë, në të ardhmen mund të shqyrtohet mundësia e një fushate plotësuese edhe për djemtë më të rritur, ashtu siç u realizua më parë për vajzat e grupmoshës 14–20 vjeç, në mënyrë që edhe ata që nuk janë vaksinuar në moshën e rekomanduar të kenë mundësi të mbrohen nga HPV”, tha mjekja.
Studimi zbulon lajme pozitive, por ekspertët thonë se vdekjet dhe rastet mund të rriten përsëri nëse do të vaksinohen më pak adoleshentë.
Ky virus shkakton 99% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës tek gratë por edhe të meshkujt dëmet janë kolosale si kancer të penisit, lytha genital, kancer të nusir dhe kancer të gojës dhe faringut. Vaksinimi i djemve ul qarkullimin e virusit në popullatës dhe mbron partnerët. Sipas OBSH vaksina është me efektive kur aplikohet para fillimit të aktivitetit seksual prandaj rekomandohet nga mosha 9-14 vjeç.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





