Vasili: Procesi zgjedhor i 2025, një nga sfidat më të mëdha operative të RTSH-së, mobilizuam mbi 200 punonjës në terren për mbulim zgjedhor të balancuar
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, u ndal te angazhimi i transmetuesit publik gjatë procesit zgjedhor parlamentar të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha operative me të cilat është përballur institucioni.
Në fjalën e saj, Vasili theksoi se RTSH mobilizoi burime të konsiderueshme njerëzore dhe teknike për të garantuar një pasqyrim profesional, të balancuar dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në të gjithë vendin.
“Procesi zgjedhor i vitit 2025 ishte një nga sfidat më të mëdha operative të institucionit. RTSH angazhoi rreth 200 punonjës në terren dhe realizoi një mbulim të balancuar dhe gjithëpërfshirës të procesit, duke garantuar informim të vazhdueshëm për qytetarët dhe respektim të standardeve profesionale të transmetuesit publik”, deklaroi Vasili.
Ajo nënvizoi se përmes angazhimit të stafit gazetaresk, teknik dhe administrativ, RTSH arriti të pasqyrojë në kohë reale zhvillimet zgjedhore në të gjithë territorin e vendit, duke siguruar akses të barabartë në informacion për publikun dhe duke respektuar parimet e pluralizmit dhe paanshmërisë.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme, përvoja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 dëshmoi kapacitetet profesionale dhe organizative të RTSH-së për të përballuar ngjarje me rëndësi të veçantë kombëtare, duke përmbushur misionin e tij si transmetues publik në shërbim të qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



