Vasili: RTSH gëzon besueshmërinë e publikut, por ka nevojë për modernizim. Financimi i pamjaftueshëm pengon zhvillimin
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, gjatë raportimit për raportin vjetor të RTSH për 2025 tha se media publike ka nevojë për një transformim të thellë dhe modernizm të saj.
Vasili ka bërë publike gjetjet e raportit të hartuar nga EBU, i cili vlerëson se racionalizimi i portofolit të shërbimeve është një kusht i domosdoshëm për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e eficiencës së medias publike në të ardhmen.
Drejtoresh e Përgjithshme e RTSH theksoi se raporti evidenton gjithashtu se qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e institucionit dhe procesin e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare, si dhe mungesa e investimeve të mjaftueshme në teknologji.
“Raporti vlerëson se racionalizimi i portofolit të shërbimeve përbën kusht për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e eficiencës afatgjatë të medias publike.Qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e RTSH-së dhe procesin e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare, si dhe nevojat e paplotësuara për investime teknologjike. Në këtë kuadër, kërkohet një lidhje më e drejtpërdrejtë mes planifikimit strategjik, burimeve financiare dhe prioriteteve programore”, tha Vasili.
Në aspektin editorial, Vasili tha se raporti vlerëson se RTSH vijon të gëzojë besueshmëri dhe të mbajë një rol të rëndësishëm në median publike shqiptare. Megjithatë, ai thekson nevojën për forcimin e procesit të digjitalizimit, shtimin e përmbajtjeve të dedikuara për të rinjtë dhe diasporën, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset vendimmarrëse editoriale dhe strategjike.
“Në aspektin editorial dhe të besueshmërisë ndaj publikut, EBU vlerëson se RTSH gëzon ende besueshmëri dhe një rol të rëndësishëm në median publike, por thekson nevojën për forcimin e digjitalizimit, rritjen e përmbajtjes së orientuar drejt të rinjve dhe diasporës, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset vendimmarrëse editoriale dhe strategjike.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime lidhur me nevojën për modernizimin e mëtejshëm të medias publike, në mënyrë që ajo të përmbushë më mirë kërkesat e publikut dhe sfidat e mjedisit mediatik në ndryshim”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



