Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Kryetarja e Gjykatës Speciale e mbron, deklarata kritikohet në Prishtinë

Kosovë | 23 minuta më parë

Pas miratimit të ndryshimeve të ligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës erdhi reagimi parë edhe nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Kryetarja Ekaterina Trendafilova përmes një videomesazhi mbrojti pavarësinë e asaj gjykate duke deklaruar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve mënyrën se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Deklarata e saj u kritikua nga Vlora Çitaku, që përfaqëson Kuvendin në grupin e punës për hartimin e strategjisë shtetërore mbi procedurat në Apel për ish-krerët e UÇK-së por edhe nga Organizata e Veteranëve të asaj lufte.

“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie.”

“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova. Në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vetë Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan prej tij ndaj nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.”, tha ajo.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator dënuan me 81 vite burg ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme