Ulen dhurimet vullnetare të gjakut. Sezoni ndikon në rezerva, aktualisht mbulohen 25% të nevojave ditore
Grupet e rralla të gjakut, siç janë ato me rezus negativ, por kryesisht me grupin zero negativ, mbeten të rrezikuara gjatë sezonit të verës nëse ndodhen përballë një nevoje të ngutshme. Kjo pasi rezervat bien ndjeshëm për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe dhurimeve shumë të ulëta vullnetare.
“Në situatën e verës ne kemi nevojë për më tepër dhurues gjaku, pasi kjo periudhë është e vështirë për gjendjen e grupeve të rralla të gjakut. Gjithashtu kemi rritje të numrit të aksidenteve, kemi ulje të thirrjeve që bëjmë për dhurime vullnetare, pasi njerëzit shkojnë me pushime, marrin lejen e zakonshme. Në këto rrethana, në verë ne hasim pengesa për të gjetur atë sasi gjaku që ne kemi nevojë çdo ditë,” shprehet mjekja Viola Konomi nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
Ajo thotë se ka edhe një tjetër kategori problematike.
“Kemi edhe një kategori pacientësh të cilët nuk e marrin gjakun të pajtueshëm vetëm sipas sistemit A, B, 0 dhe rezus, por u duhet të kenë të pajtueshëm edhe sistemet e tjera antigjenike. Për këtë arsye na duhet të kemi sa më tepër gjak në dispozicion për të plotësuar më së miri këto kërkesa,” thotë mjekja.
Që të plotësohen nevojat e të gjitha spitaleve në vend, dhurimet ditore duhet të arrijnë në 100 njësi gjak. Për këtë sasi vetëm 25 për qind arrin të mbulohet nga dhurimet vullnetare.
“Ne duam që këtë 25-përqindësh, sikur të shkojë në nivelin 40 për qind, atëherë do të flasim për shifra vërtet të qëndrueshme të dhurimeve. Ky është një objektiv që mund të arrihet,” tha ajo.
Me qendrën lëvizëse të dhurimeve vullnetare, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut po kryen fushata në disa qytete, ku bashkitë kanë festivale dhe aktivitete të tjera, për të ndërgjegjësuar njerëzit.
Të gjithë dhuruesit vullnetarë përveç se shpëtojnë një jetë, bëhen edhe përfitues të një pakete më gamë të gjerë analizash dhe të dy ditëve pushim nëse punojnë në institucionet publike, ndërsa të vetëm një dite nëse punojnë në institucionet private.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




