Video e re zbulon shqetësimet e punonjësve të TikTok për shëndetin mendor të adoleshentëve

Një video e sapo-zbuluar, e paraqitur si provë në një padi kundër TikTok-ut në Karolinën e Veriut, tregon punonjës dhe ish-punonjës të kompanisë duke ngritur shqetësime serioze mbi ndikimin e aplikacionit te përdoruesit e rinj. Komentet bien ndesh me deklaratat publike të TikTok-ut se platforma është e sigurt për të rinjtë.
Padia, e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut, akuzon TikTok-un për praktika tregtare mashtruese, duke pretenduar se aplikacioni është projektuar për të qenë “shumë varësues për të miturit”. Gjykatësi Adam Conrad hodhi poshtë kërkesën e TikTok-ut për të fshehur videon nga publiku dhe për të rrëzuar padinë.
Videoja, një përmbledhje e klipeve nga takime të brendshme, përfshin komente nga ish-punonjës si Nicholas Chng, i cili thotë se “fatkeqësisht, disa nga gjërat që njerëzit i gjejnë interesante nuk janë gjithmonë më të shëndetshmet”. Ai shtoi se platforma “inkurajon” përmbajtje të caktuara, gjë që e shqetëson.
Edhe Alexandra Evans, ish-drejtoreshë e politikave publike të sigurisë në Evropë, pranon se aplikacioni “ka ngjallur përdorim të pandreqshëm” dhe se, për shkak të algoritmit, ai mund të ndikojë negativisht te zakonet e fëmijëve, duke ndërhyrë në gjëra thelbësore si gjumi dhe ushqimi.
Një tjetër ish-punonjëse, Ashlen Sepulveda, shprehu shqetësimin se algoritmi mund të shtyjë përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve rreth shëndetit mendor, të cilat, me kalimin e kohës, mund të shndërrohen në diskutime mbi “sjellje të buta çrregullore të të ngrënit”.
Reagimi i TikTok-ut dhe sfidat ligjore
Një zëdhënës i TikTok-ut e quajti videon “mashtruese”, duke theksuar se ajo “shtrembëron një bisedë të hapur të brendshme” dhe se bisedat janë nxjerrë jashtë kontekstit. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut, Jeff Jackson, deklaroi se videoja “vërteton atë që kemi argumentuar në gjykatë: kompanitë e mediave sociale po i mbajnë fëmijët të varur për të maksimizuar fitimet”.
Ky rast vjen në një moment kritik për TikTok-un, pasi kompania është vetëm disa javë larg afatit për një ndalim të mundshëm në SHBA. Për shkak të ligjit të miratuar gjatë administratës Biden, pronari kinez, ByteDance, duhet të shesë aplikacionin në SHBA ose do të përballet me një ndalim. Megjithatë, vendimi i fundit i Presidentit Trump për të hapur një llogari zyrtare në TikTok ka ngritur pikëpyetje mbi planet e tij të ardhshme për aplikacionin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




