Vidhnin para dhe sende me vlerë në banesa, goditet grupi kriminal shqiptar në Spanjë, ndalohen 5 persona, sekuestrohen mbi 10 mijë euro
Policia spanjolle në bashkëpunim me autoritetet shqiptare kanë bërë të mundur goditjen e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Pesë anëtarë të këtij grupi, katër prej të cilëve janë shqiptarë, janë ndaluar pasi akuzohen për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Po ashtu, autoritetet spanjolle kanë bërë të mundur sekuestrimin e mbi 10 mijë eurove, 4 ora dore të markave luksoze dhe 1 automjet.
Kujtojmë se një muaj më pareë, Policia e Lezhës arrestoi një prej anëtarëve të këtij grupi kriminal.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia spanjolle.
Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.
Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I.
Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.
Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




