Vijojnë protestat e nxënësve dhe studentëve në rrethe, tensione në Lezhë dhe Shkodër, marshim në Vlorë

Aktualitet | 2 orë më parë

Nxënësit dhe studentët vijojnë edhe sot protestat në disa qytete të vendit, duke bojkotuar procesin mësimor dhe duke dalë në rrugë. Në Lezhë janë regjistruar tensione dhe dëmtime të pronës publike, ndërsa në Shkodër ka nisur marshimi i të rinjve. Në Universitetin e Vlorës vijon bojkoti i mësimit.

Në Lezhë, një pjesë e nxënësve, kryesisht nga gjimnazi “Hydajet Lezha”, kanë braktisur procesin mësimor dhe kanë dalë në protestë. Sipas raportimit të gazetarit Elvis Hila për RTSH-në, situata është tensionuar kur protestuesit kanë kërkuar të hyjnë në sheshin para Bashkisë së Lezhës, duke u përballur me forcat e Policisë.

Gjatë protestës janë raportuar gjithashtu dëmtime të tabelave dhe kangjellave përgjatë rrugëve, si dhe thyerje të xhamave të disa shkollave. Policia ka shtuar praninë në qytet dhe ka rrethuar disa institucione kryesore. Gjithashtu, një i ri është shoqëruar nga uniformat blu.

 

Ndërkohë, në Shkodër ka nisur marshimi i të rinjve, i cili po shoqërohet nga forca të shumta policore. Protestuesit u kanë bërë thirrje studentëve që t’i bashkohen bojkotit masiv të procesit mësimor. Gjatë marshimit, të rinjtë kanë nisur thyerjen e xhamave në rrugë.

Edhe në Vlorë vijon bojkoti në universitet. Një pjesë e studentëve janë mbledhur nëpër auditore, në pritje të orës së përcaktuar për t’u organizuar dhe për të nisur protestën e ditës së sotme.

Protestat kanë nisur edhe në Lushnjë, ku gjimnazistët janë grumbulluar në sheshin qendror përball bashkisë. Forca të shumta të policisë me uniformë por edhe civilë mbajnë nën vëzhgim të rinjtë.

Protestat vijojnë në disa qytete të vendit, ndërsa situata në terren po shoqërohet me masa të shtuara sigurie nga policia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme