Virozat e stinës, 45 vizita kryhen çdo ditë pranë Pediatrisë në Korçë

Shëndet | 2 muaj më parë

Deri në 45 vizita kryhen çdo ditë pranë spitalit të Pediatrisë në Korçë gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës. Kryesisht bëhet fjalë për shqetësime të traktit gastrointenstinal, ndërsa fëmijët paraqiten me të vjella, diarre apo në disa raste edhe me temperaturë.

“Numri i vizitave ka variuar nga 36 deri në 40–45 vizita në ditë, ku shumica e rasteve kanë qenë me simptoma të traktit gastrointestinal. Kemi pasur edhe raste të tjera të izoluara, të cilat janë paraqitur vetëm me temperaturë”, u shpreh Robert Rado, Shef i Shërbimit të Pediatrisë.

Shmangia e orëve të pikut si dhe higjiena e mirë janë disa nga këshillat që prindërit duhet të kenë parasysh për fëmijët e tyre.

“Së pari, prindërit duhet t’i mbajnë fëmijët nën kontroll, në kuptimin që të mos i lejojnë të dalin gjatë pikut të vapës, pasi temperaturat kanë qenë shumë të larta. Së dyti, është e rëndësishme që fëmijët të hidratohet mirë, duke konsumuar mjaftueshëm lëngje, ku lëngu kryesor duhet të jetë uji. Ky ujë duhet të jetë i sigurt dhe i kontrolluar për konsum. Po ashtu, duhet t’i kushtohet rëndësi higjienës personale, veçanërisht larjes së duarve. Një masë tjetër e rëndësishme është ruajtja e duhur e ushqimeve, si edhe larja e produkteve që konsumohen të freskëta. Perimet dhe frutat duhet të lahen mirë përpara se të konsumohen”, tha ai.

Në rastet kur fëmijët kanë shqetësime sipas shefit të shërbimit të pediatrisë, ata duhet të ndiqen në dinamikë fillimisht te mjeku i familjes dhe më pas sipas situatës edhe në urgjencë, apo në pediatri, aty ku mjekët do të vendosin për trajtimin rast pas rasti. Aktualisht pranë shërbimit të pediatrisë në Korçë ka 11 fëmijë të shtruar.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme