Virusi sinsicial respirator prek fëmijët, Kuli: Kujdes, është fatal! Duhen çuar urgjent tek mjeku

Shëndet | 11 muaj më parë

Ulja e temperaturave është shoqëruar me rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga viroza të stinës dhe gripi. Mes shumë viruseve në qarkullim, shefja e pediatrisë infektive në QSUT, Gjeorgjina Kuli pohon se është edhe virusi respirator sinsincial, ose i njohur me termin RSV, i cili prek kryesisht të vegjlit dhe mund të shkaktojë fatalitet.

“Virusi sinsicial respirator, veçanërisht tek fëmijët e vegjël, foshnjat e lindura prematurë të cilët i përkasin sezonit nëntor-mars, mund të jenë me pasoja shumë të rënda, madje fatale, nëse nuk merren masat e duhura sepse deri tani nuk ka një mjekim specifik për RSV ( virusin sinsicial respirator), por fatmirësisht ka mjekim, strategji parandaluese. Shoqërohet me shenja të rënda respiratore, me marrje fryme të fëmijës, më ndryshim të kolorit, me atë që ne e quajmë pamjaftueshmëri respiratore që ndonjëherë i ndikon  deri edhe në futjen në frymëmarrje të drejtuar pacientin”, tha Kuli.

Në rastet me risk të lartë tek fëmijët e lindur prematuare, sidomos gjatë muajve nëntor- mars, mjekët kanë sugjeruar gjithmonë mbrojtje paraprake përmes vaksinimit.

“Në protokollet pas vitit 2022 në shumë vende të BE kanë futur një preparat të ri, ‘Nirsevimabi’ që është një vaksinë që përdoret me një dozë dhe ka një diapason të gjerë përdorimi edhe në gratë shtatzëna edhe në foshnja të vogla dhe është praktik për t’u realizuar sepse ka nevojë vetëm për një dozë dhe mbrojta zgjat për disa muaj, jo si në rastin e antikorpeve që përdoreshin më parë që zgjasnin 3-4 javë”, theksoi Kuli.

Si mjekët infeksionistë ashtu edhe ekspertë të imunizimit i kanë propozuar ministrisë së shëndetësisë futjen e  vaksinës për “RSV” në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme