Viti i ri arsimor, Hoxha: Rreth 17 mijë tekste për fëmijët në diasporë, gjuha shqipe në themel të trashëgimisë sonë

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha bën me dije se rreth 17 mijë tekste janë shpërndarë për diasporën. Përmes një videomesazhi, Hoxha thekson se tekstet janë shpërndarë për 15 shtete në Europë, sikurse edhe në SHBA dhe në Kanada.
“Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, dua të them dy fjalë për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë. Janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe” dhe “kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë. Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave”, thekson Hoxha.
Sipas Ministrit, e veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, teksa e konsideron një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për diasporën.
“E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën. Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.
Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, lutem ndiqni udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale”, përfundon Hoxha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




