Vrasja e bujshme në Britani, ambasada shpërndan foton: Kush është 26-vjeçari shqiptar në kërkim ndërkombëtar

Autoritetet britanike kanë intensifikuar kërkimet për kapjen e autorëve të fundit të mbetur të lirë lidhur me ekzekutimin brutal të Hemawand Ali Hussain, ngjarje e ndodhur në vitin 2019.
Ambasada Britanike në Tiranë ka shpërndarë njoftimin zyrtar të Policisë së Cleveland dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), ku bëhet publike fotoja e të kërkuarit Armando Marku, 26 vjeç.
Operacioni “Chard”
Sipas hetuesve britanikë, Armando Marku dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen me armë zjarri të 32-vjeçarit Hussain në një shtëpi në rrugën Charterhouse, Hartlepool. Policia beson se i riu shqiptar mund të jetë fshehur në ndonjë vend të Evropës pasi u largua nga Mbretëria e Bashkuar.
Inspektorja Detektive Lyndsey Dale, e cila udhëheq operacionin e koduar “Chard”, dha një mesazh të qartë:
“Tani do të dyfishojmë përpjekjet tona për të gjetur dhe arrestuar Armando Markun, i cili ende kërkohet në lidhje me këtë vrasje. Hetimet tona në vend dhe jashtë vendit na bëjnë të besojmë se ai ka lënë Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht ndodhet jashtë, kështu që po punojmë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për ta gjurmuar dhe arrestuar; kjo do të jetë fokusi i vazhdueshëm i ekipit hetimor. Ne nuk do të ndalemi dhe do të përdorim të gjitha metodat e disponueshme për ta gjetur.
I bëj thirrje kujtdo që ka informacion për Armando Markun ose vendndodhjen e tij aktuale të na kontaktojë. Edhe detaji më i vogël mund të ndihmojë hetimin tonë. Ju lutemi kontaktoni Policinë e Cleveland në 101 duke cituar numrin e incidentit (Operacioni Chard). Dhe kur z. Marku ta shohë këtë përditësim, siç jam e sigurt që do ta shohë, do ta nxisja të paraqitet dhe t’i dorëzohet autoriteteve lokale, pasi është vetëm çështje kohe para se policia ta gjejë dhe ta arrestojë.”

Arrestimi dy ditë para Krishtlindjes
Ndërsa Armando Marku mbetet në arrati, një tjetër i dyshuar ka rënë në pranga. Sajmir Dodoveci, 40 vjeç, u arrestua më 23 dhjetor 2025 në një stacion treni në Bruksel. Pas ekstradimit të shpejtë, ai doli para gjykatës në Teesside më 9 janar 2026 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit.
Bilanci i dënimeve, nga burgimi i përjetshëm te ekstradimet në proces
Ky rast kompleks ka angazhuar disa juridiksione dhe ka prodhuar deri tani një sërë dënimesh të rënda për grupin e përfshirë:
Emri i të Dyshuarit Statusi Aktual Dënimi / Masa
Eugert Merizaj I burgosur Burgim i përjetshëm
Sajmir Dodoveci I arrestuar (Janar 2026) Në pritje të gjykimit
Noza Saffari I dënuar 15 vite burg
Dorian Pirija I dënuar 19 vite burg
Qazim Marku I dënuar 19 vite burg
Armando Marku NË ARRATİ Shpallur në kërkim ndërkombëtar
Gjithashtu, një tjetër 34-vjeçar i arrestuar në Belgjikë në shkurt të vitit 2024 është në proces ekstradimi, duke e çuar numrin e personave që do të përballen me drejtësinë në fazën finale të këtij procesi.
Policia e Cleveland i bën thirrje kujtdo që ka informacion mbi vendndodhjen e Armando Markut të kontaktojë autoritetet, duke garantuar konfidencialitet të plotë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



