Vrasja e turistit në Ksamil, ndryshon informacioni mbi identitetin e viktimës, Policia: Shtetas portugez. Po hetohet roli i 2 shtetasve turq që po transportonin autorin drejt Tiranës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ndryshon informacioni mbi identitetin e turistit të huaj që humbi jetën mëngjesin e sotëm në Ksamil. Në informacionin paraprak të shpërndarë pas ngjarjes, viktima u raportua si shtetas francez, por verifikimet e mëtejshme kanë konfirmuar se ai ishte shtetas portugez.

Sipas të dhënave të reja të policisë, viktima është L. V., i datëlindjes 27 shtator 2005. Identifikimi fillestar si shtetas francez, me inicialet M. M., ishte bërë bazuar në informacionet paraprake të disponueshme në momentet e para pas ngjarjes. Sipas Policisë, identiteti i saktë u konfirmua pas gjetjes së dokumentit të identifikimit të viktimës.

Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për rolin e dy shtetasve turq, në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar. Sipas policisë, dy shtetasit po e transportonin atë në drejtim të Tiranës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 05:15 të kësaj të marte (18 gusht) në Ksamil, kur shtetasi portugez Lu gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në zonën turistike të Ksamilit. Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu u goditu me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Pas ngjarjes, autori i dyshuar, 29-vjeçari Sokrat V.  u largua nga vendi i krimit, por u arrestua disa orë më pas në Levan të Fierit.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Ksamil, Sarandë/Informacion shtesë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:

Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme