Xhaferi: Nesër dorëhiqen kryeministri dhe ministrat dhe fillon procedura për qeverinë teknike

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka bërë të ditur datat e sakta të seancave për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe zgjedhjen e qeverisë teknike.

“Në marrëveshje me kryeministrin kemi përcaktuar afatet kornizë që fillojnë nga nesër (25 janar) për dorëheqjet dhe caktimin e seancës për konstatimin e dorëheqjeve”, ka konfirmuar Xhaferi.

“Me 26 të këtij muaji hapet rruga për fillimin e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, përcaktimin e mandatarit dhe dy seanca radhazi”, tha Xhaferi.

Sipas marrëveshjes, procesi fillon nesër me dorëheqjen e kryeministrit dhe në seancën e caktuar për 26 janar do të konstatohen këto dorëheqje, pas së cilës presidenti i shtetit do të njoftohet se qeveria po jep dorëheqje.

Më 27 janar në Kuvend duhet të paraqitet propozim-programi dhe përbërja e qeverisë dhe në seancën e datës 28 në rend dite do të jetë zgjedhja e qeverisë teknike.

Në të njëjtën kohë, më 28, KSHZ-ja do të njoftohet për ndërprerjen e mandatit të deputetit të njësisë zgjedhore 5. Më pas vijon shpërndarja e propozim-programit dhe emrat e ministrave dhe zëvendësministrave. Xhaferi pret që në të njëjtën seancë të bëhet edhe zgjedhja.

Përbërja e qeverisë duhet të jetë e plotë që qeveria kalimtare të hyjë në fuqi 100 ditë para zgjedhjeve.

Aktivitetet në Kuvend fillojnë me konfirmimin e dorëheqjeve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Jovan Mitreski, pastaj me njoftimin e kryetarit të shtetit për detyrën e mandatit të kryeministrit të ri, qeverisë së zgjedhur, ministrave, zëvendësministrave dhe zëvendësministrave shtesë, si dhe deklaratën për përfundimin e mandatit të deputetit dhe verifikimin e mandatit të deputetit të ri në njësinë zgjedhore numër 5.

Maqedonia deri në mesnatën e së dielës (28 janar) duhet të ketë qeverinë e tretë kalimtare.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme