Zero tolerancë për parkimet e gabuara, Policia Rrugore e Tiranës nis heqjen e mjeteve me karrotrecë të rinj

Aktualitet | 8 muaj më parë

Policia Rrugore e Tiranës ashpërson masat ndaj drejtuesve që parkojnë gabim në rrugët e kryeqytetit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, uniformat blu bënë të ditur se janë pajisur me dy mjete të reja speciale – një karrotrec dhe një platformë ngritëse – të cilat do të shërbejnë për lirimin e akseve nga mjetet penguese.

Sipas policisë, fokusi do të jetë tek automjetet që bëhen pengesë serioze për qarkullimin. Këtu përfshihen parkimet mbi trotuare, në kryqëzime, para hyrje-daljeve të banesave e institucioneve, si dhe bllokimi i rampave për personat me aftësi të kufizuara apo mjetet e emergjencës.

Kosto e trefishtë për shkelësit

Policia Rrugore paralajmëron se pasojat financiare për drejtuesit e papërgjegjshëm do të jenë më të rënda. Mjeti jo vetëm që do të hiqet fizikisht nga rruga, por pronari do të përballet me tre pagesa të ndryshme si masën administrative (gjobën) për parkim të gabuar; tarifën për shërbimin e ngritjes me mjet (karrotrec); tarifën për qëndrimin e automjetit në pikën e bllokimit.

Apeli për siguri

Krahas masave për parkimin, Policia Rrugore u ka bërë apel qytetarëve për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit, duke vënë theksin te dhënia e përparësisë për këmbësorët në vijat e bardha dhe mosdrejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

“Ftojmë përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë Rrugore për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë,” përfundon njoftimi zyrtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme