Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës, Kurti ende nuk iu ka dërguar partive parlamentare ftesën për konsultime

Kosovë | 8 muaj më parë

Ndërsa mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, dhe presidentja ose presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të këtij mandati, nuk shihen shumë lëvizje, të paktën në sipërfaqe, sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Osmani, e cila ka shprehur interes për rikandidim, ende nuk ka siguruar 30 firmat e deputetëve për zyrtarizimin e kandidaturës së saj. Ndërkohë, kryeministri dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ka nisur konsultimet me partitë e tjera parlamentare për kreun e ri të shtetit, siç pati paralajmëruar shtatë ditë më parë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u shprehën për agjencinë e lajmeve KosovaPress se janë në pritje të ftesës së Kurtit pwr konsultime, si dhe konfirmuan se ende nuk ka dalë ndonjë kandidaturë zyrtare për presidente apo president të ri.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin e saj: për president duhet të ketë marrëveshje politike, konsensus politik, dialog dhe kompromis, i cili duhet të nxjerrë një presidente apo president që është personifikim i unifikimit të popullit të Kosovës. Edhe më tutje nuk ka kandidaturë që ka ardhur nga partitë politike që kanë fituar në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Nuk janë bërë konsultime. Kur të bëhen konsultimet, do të ketë edhe qëndrim të PDK-së për këtë temë. Patjetër. Kryetari tashmë ka paralajmëruar që merr pjesë në çdo takim që thirret për presidentin”, tha Artan Behrami nga PDK.

“Sigurisht, i takon çdo subjekti politik parlamentar që të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së re të Kosovës, por negociatat u takojnë subjekteve politike, si dhe hapja e një teme se si do të zgjidhet, si do të përmbyllet procesi dhe a do ta ketë konsensusin një emër i propozuar sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Nuk është biseduar ende nëse do të kemi kandidat. Ajo që është e ditur, kemi potencial dhe gjithmonë kemi pasur potencial që të kemi njerëz që janë shembull në udhëheqje dhe lidership, qoftë për president, kryeministër apo pozita të tjera. Akoma nuk ka vendim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Armend Zemaj nga LDK.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja ose presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda 30 ditësh para përfundimit të mandatit të parardhësit, që në këtë rast i bie deri më 5 mars. Për zgjedhjen e presidentit mbahen tre raunde votimi: në dy raundet e para, kandidatja ose kandidati për kreun e shtetit duhet të marrë një shumicë të cilësuar prej dy të tretash, pra 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi; ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Që procesi të jetë i vlefshëm, në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme