Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Limani për RTSH 24: Fushata duhet e matur, larg ndasive etnike
Kandidati i koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale në Kërçovë dhe njëherësh Ministër i Punëve Sociale, Fatmir Limani, në një intervistë për RTSH 24, ka bërë thirrje për një fushatë të matur, larg ndasive etnike dhe nacionaliste.
Limani theksoi se temat etnike në fushatë janë të panevojshme dhe mund të kenë kosto të lartë për vendin.
“Dikur jemi dënuar për luftën që kemi bërë për të drejtat e shqiptarëve. Zgjedhjet vendore po përqendrohet në tema etnike dhe nacionale. Në fushatë elektorale nuk duhen hapur këto tema pasi janë të panevojshme, pasi çmimi që do paguhet pastaj do jetë i lartë. Duhet një fushatë e bazuar në konceptin e qytetarisë, ne duhet të kontribuojmë bashkë që të bindim ndërkombëtarët që jemi duke luftuar për të hapur dyert e procesit integrimit drejt BE-së”, tha Lamani.
Sipas tij, fushata duhet të përqendrohet te zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në Kërçovë.
“Të gjitha projektet kapitale që presim investime në Kërçovë të shfrytëzohen dhe të rikthejmë shpresën e vrarë te të gjitha gjeneratat. Nuk më duhet pozita e ministrit nëse nesër rikthehem në Kërçovë dhe nuk takoj asnjë njeri, duhet të krijojmë hapësira dhe mundësi për të rinjtë”, tha ai.
Limani tha se plani i tij përfshin mbështetje për diasporën që dëshiron të rikthehet dhe të investojë në atdhe.
“Do rifillojë një betejë tjetër për të mbartur interesat e të gjitha entiteteve që jetojnë në Kërçovë do të jem i barabartë me të gjithë. Plani për diasporën nëse duan të rikthehen në atdhe, rrugën do e kenë të çelur për investime dhe garantojmë që për tre vite të mos paguajnë asnjë taksë, tatim apo detyrime komunale. Garantojmë investime në infrastrukturë, garanci në fuqinë punëtore dhe garantojmë eksportin e produkteve finale që do prodhohen këtu për t’u eksportuar në BE dhe rajon”, u shpreh Limani.
Në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, që do të mbahen më 19 tetor, do të garojnë gjithsej 309 kandidatë për 81 poste kryetarësh komunash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




