Zgjedhjet në Serbi, Hoxha thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Merrni pjesë masivisht, votoni për zërin dhe të ardhmen tuaj

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që zhvillohen sot në Serbi.
Hoxha thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, duke e cilësuar atë si një mundësi për të forcuar zërin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
“Të dashur bashkëatdhetarë, qytetarë të Luginës së Preshevës. Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike, por edhe një mundësi e rëndësishme për të bërë që zëri juaj të dëgjohet dhe të ketë peshën që meriton.
Sot është dita për ta bërë këtë, duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke ushtruar lirisht të drejtën tuaj demokratike.
Çdo votë ka rëndësi. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Dilni dhe votoni. Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj”, shkruan Hoxha në X.
Serbia zhvillon sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një garë që vë në provë pushtetin e Aleksandar Vuçiçit dhe të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Përballë tyre qëndron Lista Studentore, e dalë nga protestat masive kundër qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




