Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim unanim për rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat e Kosovës, pas identifikimit të parregullsive të shumta dhe dyshimeve për keqregjistrim të votave.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se kjo çështje është shqyrtuar në Këshillin për Operacione Zgjedhore, i cili ka dhënë dy rekomandime kryesore, rinumërimin e të gjitha vendvotimeve edhe në 28 komunat e tjera dhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.
“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Radoniqi shtoi se, në total, nga vendvotimet e rinumëruara në QNR janë zbritur 36,007 vota që ishin regjistruar në QKN, ndërsa 20,978 vota u janë shtuar kandidatëve pas korrigjimit të pasaktësive.
Ndërkohë, anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, deklaroi se votat e diasporës janë numëruar në QNR dhe se çdo dyshim për pasaktësi duhet të trajtohet veçmas, bazuar në fakte konkrete.
Nga ana tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, kërkoi shkarkimin e plotë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, si dhe ndëshkime për zyrtarët e KQZ-së të përfshirë në këto parregullsi.
Edhe përfaqësuesi i AAK-së, Muharrem Nitaj, u shpreh se dallimet mes partive politike kanë qenë minimale dhe se një pjesë e procesit zgjedhor ka shkuar mirë, por theksoi se Prizreni ka qenë komuna që ka çuar në ekstrem mospërputhjen e votave. Ai shtoi se, për mungesë argumentesh kundër, edhe disa komuna të tjera duhet t’i nënshtrohen rinumërimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




