Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, Rama: Shërbimi merret online, s’do ketë më zyra fizike. Të njëjtin model do ndjekin dhe drejtoritë e tjera
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvendosjen organizative të zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, duke theksuar se po keqinterpretohet qëllimisht ose gabimisht dallimi mes adresës fizike të institucionit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Gjatë “Shënimeve të Javës” në podcastin “Flasim”, Rama sqaroi se Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka kaluar prej kohësh në një model modern shërbimesh online, përmes platformës e-Albania.
“U ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika”, tha Rama.
Rama theksoi se reagimet dhe tensionet e krijuara rreth kësaj zhvendosjeje lidhen jo vetëm me mungesë informacioni, por edhe me një mendësi që sipas tij duhet ndryshuar. Ai nënvizoi se e ardhmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, ku çdo shërbim do të merret online.
“Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se kjo nuk është lëvizja e parë e zhvendosjes së një drejtorie vendore në qendër dhe as e fundit, duke paralajmëruar se edhe institucione të tjera do të ndjekin të njëjtin model.
“Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, tha ai.
Pas vendimit për transferimin e Kadastrës Vlorë në Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar se procesi i transferimit të drejtorive vendore në kryeqytet ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej dhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë dhe Kamëz-Vorë.
Për ASHK-në, ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës. Kjo zhvendosje është kundërshtuar nga punonjësit e Kadastrës Vlorë, të cilët kanë bërë edhe një peticion Kryeministrit dhe Prefekturës së Qarkut me argumentin se kjo dëmton funksionimin e zyrës, largon qytetarët nga institucioni dhe krijon problematika në mënyrën e të punuarit, vështirësi dhe kosto për lëvizjen e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



