Zjarret/ 8 vatra aktive, në Librazhd evakuohen dy familje, në Himarë ndërhyhet nga ajri me dy helikopterë dhe një “Air Tractor”

Në të gjithë vendin janë raportuar 17 vatra zjarri, prej të cilave 8 vijojnë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë shuar.
Në Malin e Dajtit vijojnë tre vatra të riaktivizuara në zonën e Qafë Priskës dhe në kreshpën e malit. Në terren ndodhen 25 forca zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Në Sllatinë të Dibrës, situata është rënduar gjatë mesditës për shkak të temperaturave të larta dhe erës. Zjarri ka kaluar në një zonë me pyll me pisha të larta. Mbi 100 forca po punojnë në terren, ndërsa është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal të Bulqizës zjarri vijon në terren shkëmbor me shkurre dhe dëllinja. Në operacion janë angazhuar 95 forca, mes tyre 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Edhe këtu nuk ka rrezik për banesat.
Në Xhyrë të Librazhdit, zjarri vijon të favorizohet nga era. Dy banesa janë evakuuar, ndërsa mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre. Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Në Tërbaç të Himarës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë dy automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë të MZSH Himarë, ndërsa ndërhyrja nga ajri po mbështetet nga dy helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Ndërkohë, në Qafë të Helmës në Bulqizë zjarri vijon në shkurre dhe pisha, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në Dragot të Tepelenës janë dërguar 30 forca ushtarake dhe tre automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, ndërsa në Çorrush të Mallakastrës vijon puna për shuarjen e zjarrit në kullota dhe bimësi të ulët.
Në Tërbuq të Gjirokastrës, zjarri ka përshkuar rreth 30 hektarë, por aktualisht është nën kontroll të plotë dhe nuk paraqet rrezik për banorët.
Në rang vendi janë angazhuar 50 forca ushtarake, katër helikopterë dhe një avion Air Tractor të Forcave të Armatosura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me bashkitë, prefekturat dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




