Zjarret në Himarë, nis ndërhyrja nga ajri. Të paktën 6 banesa të djegura, evakuime masive të banorëve
Situata e zjarreve në Himarë duket paksa më e qetë mëngjesin e sotëm, 5 shtator, pas një nate të gjatë ankthi.
Pas një nate intensive, në orët e para të mëngjesit situata në qytetin e Himarës paraqitet më e qetë. Flakët nuk konsiderohen më kërcënim i drejtpërdrejtë për zonat e banuara të qytetit, ndërsa fokusi i ndërhyrjes është zhvendosur te kodra poshtë Pilurit, ku zjarri vijon të jetë aktiv.
Në këtë zonë po ndërhyhet edhe nga ajri, me synim izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura.
Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të situatës, flakët vijojnë të djegin në zona kodrinore dhe në sipërfaqe me bimësi, ndaj forcat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri.
Flakët që përfshinë kodrat pranë qytetit gjatë mbrëmjes detyruan banorë, pushues dhe turistë të largoheshin nga banesat dhe hotelet, ndërsa qielli mbi Himarë u mbulua nga tymi i dendur dhe drita e zjarrit.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, u përhapën me shpejtësi në kodrat pranë lagjes “1 Maji” dhe në zonën e By-Pass-it, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte dhe pemëtari. Për disa orë situata ishte kritike, ndërsa tymi i dendur mbuloi qytetin dhe krijoi panik te banorët dhe pushuesit.
Në kushtet e përkeqësimit të situatës, 36 familje u evakuuan, ndërsa shumë pushues dhe turistë u larguan nga zona për t’i shpëtuar rrezikut. Një pjesë e njerëzve u mblodhën pranë bregut të detit, larg flakëve dhe tymit.
Zjarri ka shkaktuar edhe dëme në banesa. Deri tani raportohet për gjashtë shtëpi të djegura, tre prej të cilave ishin të banuara dhe tre të pabanuara. Përmasat e plota të dëmeve materiale ende nuk janë evidentuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 300 forca, mes tyre zjarrfikës, efektivë të Policisë, forca bashkiake, ekipe të Urgjencës Mjekësore dhe forca të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile.
Në operacion janë përfshirë mjete dhe efektivë të MZSH-së nga Fieri, Tirana, Tepelena, Himara, Vlora, Finiqi, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Dropulli. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 160 forca ushtarake.
Në Himarë kanë mbërritur gjithashtu drejtues dhe përfaqësues të strukturave të emergjencave dhe institucioneve qendrore e vendore, mes tyre prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe drejtues të strukturave të sigurisë dhe emergjencave, përfshirë Skënder Hitajn dhe Haki Çakon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



