Zjarret në Shqipëri, 7 vatra vijojnë aktive. Në Dajt, Lurë dhe Pukë terreni vështirëson ndërhyrjen, por nuk ka rrezik për zonat e banuara
Mali i Dajtit, Gurë-Lura, Bruçi, Lufaj dhe Fushë-Laja janë ndër zonat ku vijon përpjekja për izolimin e flakëve. Në terren janë angazhuar qindra forca dhe mjete tokësore e ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive.
Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike në disa zona malore, ku terreni i vështirë dhe era po e bëjnë më të komplikuar ndërhyrjen e forcave. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, prej të cilave 7 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë në monitorim.
Një nga vatrat që vijon të kërkojë angazhim të madh është ajo në Mali i Dajtit. Situata mbahet nën kontroll, por zjarri mbetet aktiv në të dyja anët e kreshtës.
Operacioni për izolimin e flakëve vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, për momentin nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në zonën e Vakumonës, gjithashtu në Tiranë, situata është më e qetë. Vatra është izoluar dhe mbahet nën kontroll, ndërsa zona e Priskës vijon të jetë në monitorim.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon një prej operacioneve më të mëdha për shuarjen dhe izolimin e zjarrit. Terreni i vështirë ka kërkuar një angazhim të konsiderueshëm të forcave në tokë dhe nga ajri.
Në zonë ndodhen 180 forca bashkiake, 14 punonjës të Policisë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë ndihmuar në frenimin e përparimit të flakëve drejt banesave. Edhe këtu, autoritetet raportojnë se nuk ka aktualisht rrezik për zonat e banuara, ndërsa puna vijon për izolimin e plotë të vatrës.
Në Qafë-Helmës, në kufirin mes Dibrës dhe Bulqizës, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa një pjesë e vatrës vijon të jetë aktive në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa forcat vijojnë ndërhyrjen për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Në Bruç të Matit, operacioni po zhvillohet në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Për përballimin e situatës, operacioni është përforcuar edhe me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Pavarësisht vështirësive në terren, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Sipas raportimit zyrtar, vatra ka një avancim të lehtë. Në operacion janë përfshirë MZSH-ja, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorë të zonës. Ndërhyrja po mbështetet nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe 9 efektivë ushtarakë.
Një tjetër vatër që kërkon vëmendje është ajo në Fushë-Lajë të Pukës, ku terreni i vështirë dhe era kanë favorizuar përhapjen e zjarrit në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Në terren janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në përballimin e situatës janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht, në operacione ndodhen 140 efektivë të FA, një automjet zjarrfikës, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



