Zjarri në hotelin në Vlorë, 25-vjeçarja me djegie të rënda dërgohet për trajtim në Turqi. Shpenzimet mbulohen nga shteti shqiptar

Pacientja 25-vjeçare A.D., e cila dy ditë më parë pësoi djegie të rënda në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, pas zjarrit të rënë në një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, është nisur drejt Turqisë për të vijuar trajtimin mjekësor.
Pacientja qëndroi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku mori trajtim intensiv nga ekipet mjekësore të terapisë intensive.
Sipas QSUT-së, 25-vjeçarja do të vijojë trajtimin në një spital të specializuar në Turqi, ku do të marrë kujdesin e nevojshëm për shkak të rëndësisë së plagëve të shkaktuara nga zjarri, ndërsa shpenzimet e trajtimit jashtë vendit do të mbulohen nga shteti shqiptar.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave mjekësore dhe administrative nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT),ku qëndroi nën kujdes intensiv të ekipeve të terapisë intensive (ICU), në bashkëpunim dhe koordinim me Ambasadën e Turqisë dhe autoritetet shëndetësore turke, pacientja do të vijojë trajtimin e specializuar në një spital në Turqi.
Shpenzimet për trajtimin e pacientes në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar vijimësinë e kujdesit mjekësor dhe aksesin në trajtimin e specializuar për rastet që kërkojnë ndërhyrje dhe ekspertizë të avancuar jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Zjarri ra dy ditë më parë, ku flakët nisën në katin e parë të godinës, ku ndodhej restoranti, dhe më pas u përhapën me shpejtësi drejt kateve të sipërme, ku ndodheshin dhomat e hotelit.
Sipas policisë, flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.
Në total, 6 persona mbetën të plagosur nga zjarri. Pesë prej tyre ishin shtetas nga Kosova, ndërsa një tjetër nga Rrësheni.
5 prej të plagosurve u dërguan në Tiranë për trajtim më të specializuar. Dy të dëmtuar janë transportuar në Qendrën e Traumës, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




