Protesta e PD, Zogaj: Më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit, por nuk e rrëzon qeverinë

Politikë | 9 muaj më parë

Analisti Preç Zogaj e cilëson protestën e fundit të Partisë Demokratike si më të madhën e kësaj force politike pas zgjedhjeve të 11 majit, por thekson se ajo nuk e rrëzon qeverinë.

I ftuar në emisionin “Triolog”, Zogaj nënvizon se kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi sipas tij mungojnë rrethana të tjera që do ta çonin vendin drejt një krize politike.

“Kjo protestë e PD-së është më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit. Protestat e opozitës janë protesta politike që i organizon një parti politike, ku flasin liderët e Partisë Demokratike. Protesta politike të kësaj natyre nuk arrijnë kurrë të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme ose të rrëzojnë qeverinë.

Janë shënuar vetëm dy raste kur është arritur krijimi i një qeverie teknike dhe në të dyja këto raste kjo ka pasur lidhje me komponentin popullor të protestës, duke qenë protesta masive, gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm të përqendruara në një shesh ku njerëzit vijnë me autobusë të organizuar nga partia.

Për të bërë një mbledhje të tillë, një parti e madhe i ka këto mundësi, ndërsa protestat popullore që kanë shkaktuar krizë politike kanë qenë të shtrira jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi duhet të ketë rrethana të tjera për ta çuar vendin drejt një krize politike. Opozita ka 30 vjet që duhet t’i japë fund kësaj stilieme, por kurrë nuk e bën dhe i kthehet vazhdimisht asaj, sepse kjo e karakterizon. Opozita tenton dhe mirë bën që tenton”, tha Zogaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme