37 të arrestuar në Greqi, dyshohet se mashtronin për të përfituar nga subvencionet e BE-së në mbështetje të fermerëve
37 persona janë vënë nën prangat e forcave greke të zbatimit të ligjit, pasi dyshohen të jenë pjesë e një bande që kryente mashtrime me subvencionet europiane në bujqësi.
Operacioni i ndërmarrë nga njësia e krimit të organizuar, së cilës shpesh i referohen si FBI-ja greke, u zhvillua në Selanik, Pela, Janinë, Atikë dhe Kretë.
Në qendër të tij ishte një rrjet kriminal që akuzohej se në mënyrë të paligjshme kishte siguruar subvencione në bujqësi, që jepen nga Bashkimi Europian, përmes deklaratave të rreme që dorëzonin pranë agjencisë greke që mbikëqyr fondet europiane të dhëna në mbështetje të fermerëve të vendit.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit nuk janë as fermerë, as prodhues. Kreu i rrjetit kriminal është një ish-punonjës i qendrës së deklarimit të fermave në Pela, ndërsa është përfshirë edhe një 36-vjeçar që aktualisht punon në një qendër të tillë në Kretë.
Hetuesit besojnë se rrjeti ka përfituar më shumë se 20 milionë euro në subvencione nga viti 2018 deri në 2024-ën.
Operacioni i njësisë së krimit të organizuar u ndërmor në koordinim me zyrën e prokurorit publik europian, që e nisi hetimin për këtë rast rreth një vit e gjysmë më parë.
Kryeprokurorja europiane, ndërkohë, u shpreh në një konferencë për shtyp se agjencia shtetërore greke që mbikëqyr fondet europiane për bujqësinë ishte kthyer në simbol të korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




