Ministria e Jashtme greke: Belerit t’i jepet mundësia të bëjë betimin si eurodeputet

Greqi | 2 vite më parë

Ministria e Punëve të Jashtme greke ka reaguar ndaj vendimit të GJKKO  e cila ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin, i zgjedhur kryebashkiak i Himarës në zgjedhjet e 2023.

Sipas reagimit të bërë publike në mediet greke, ministria ka ngritur shqetësime për nivelin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit të Tiranës vjen për të përforcuar shqetësimet për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri”, theksohet ndër të tjera në njoftimin e lëshuar nga Athina.

Sipas të njëjtit reagim thuhet “Beleri nuk është vetëm kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është, pra, detyrim i autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë mundësinë atij të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Europian, duke filluar nga mandati i tij, korrikun e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë greke.

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj teksa shprehet ndër të tjera “për cenimin e prezumimit të pafajësisë, provave të paraqitura dhe zbritjen e dënimit të tij”.

 “Të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë mundësinë atij të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Europian” kërkohet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e jashtme Greke.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme